Suksesi Juaj Bën Krenar Çdo Shqiptar
-Kryeministri Berisha priti tenorin e famshëm shqiptar, Saimir Pirgu-
TIRANE, 17 Maj/ATSH/.- Kryeministri Berisha, vlerësoi të hënën në mbrëmje, gjatë takimit me tenorin e famshëm shqiptar Saimir Pirgu, suksesin e arritur dje prej tij në koncertin recital të dhënë në Teatrin e Operas dhe Baletit, në Tiranë.
"Suksesi juaj i mbrëmshëm vjen vetëm pak ditë pas suksesit që patët me 'Traviatën' në Operën e Covent Garden, në Londër, së bashku me sopranon shqiptare Ermonela Jaho. Suksesi juaj bën krenar çdo shqiptar dhe ju jeni ambasadorët më të mirë të kombit", tha Kryeministri Berisha.
Zyra e shtypit e Kryeministrit bëri të ditur se Kryeministri Berisha theksoi se kishte dhënë porosi të veçanta për Ministrinë e Jashtme, që të përpunojë një program të mbështetjes së talenteve shqiptare, që debutojnë në skenat botërore, ashtu si Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, do të mbështesë talentet që zhvillohen në shkollat dhe skenat e vendit tonë.
"Ne jemi të ndërgjegjshëm që ekonomia e tregut ka rolin e vet në nxitjen dhe formimin e talenteve, por shteti do të ketë gjithmonë rolin primar, sepse kultura është formuesja e identitetit kombëtar dhe asgjë nuk mund të jetë e qëndrueshme dhe jetëgjatë pa këtë identitet që e formojnë artistët dhe shkrimtarët", u shpreh Kryeministri Berisha.
Tenori Saimir Pirgu e falënderoi Kryeministrin Berisha për prezencën e tij të djeshme në koncert dhe pritjen e veçantë që i ofroi sot. "Ngrohtësia që më dha dje publiku shqiptar, nëpërmjet duartrokitjeve, ishte dhurata më e vlefshme që kam marrë këto vjetët e fundit nga të gjitha skenat ku kam debutuar, sepse artist i vërtetë bëhesh vetëm kur të vlerëson populli yt", tha Saimir Pirgu. Ai premtoi se do të kthehet përsëri në skenën shqiptare, që është shtëpia e vërtetë e tij.
Në pritje ishte i pranishëm ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj dhe drejtori i TOB, Zhani Ciko./s.s./