Tajlandë - Presidenti I Parlamentit Evropian Për Një Zgjidhje Të Negociueshme
STRASBURG (Parlamenti Evropian), 17 maj /ATSH-AFP/ - Presideti i Parlamentit Evropian Jerzy Buzek u shpreh sot për "një zgjidhje të negociueshme" për t'i dhënë fund krizës që ka shkaktuar 66 të vdekur që nga mesi i marsit në Tajlandë dhe që po bllokon gjithmonë e më tepër jetën e përditshme në Bangkok.
"I dënoj përleshjet e dhunshme dhe goditjet me armë zjarri mes manifestuesve dhe forcave ushtarake ndërkohë që dialogu mes palëve të përfshira është urgjent dhe thekson nevojën për një zgjidhje të negociuar përballë krizës aktuale", bëri të ditur Buzek në një komunikatë.
"Pajtimi kombëtar në Tajlandë duke respektuar plotësisht parësinë e të drejtës dhe të parimeve demokratike është një element i rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe marrëdhëniet dypalëshe me Bashkimin Evroian", shtoi ai.
Manifestuesit antiqeveritarë tajlandezë shpërfillën sot urdhërin për t'u larguar nga kampi i tyre në qendër të Bangkokut, përpara se t'i propozonin qeverisë një marrëveshje për ndalimin e dhunës, që ka shkaktuar më tepër se 30 të vdekur brenda katër ditëve.
Dialogu u ndërpre të enjten, kur kryeministri Abhisit Vejjajiva e ka anuluar propozimin e bërë përpara 10 ditëve, për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në mes të nëntorit, i dëshpëruar nga kërkesat pa fund dhe gjithmonë e më të mëdha të "të kuqve" përkrahës të ish-kryeministrit në mërgim Thaksin Shinawatra.
/I.Pu.