Tajlandë - Vdes Gjenerali Që Drejtonte Protestat Antiqeveritare Të Këmishëkuqve
BANGKOK, 17 maj /ATSH-AFP/ - Gjenerali disident tajlandez, Seh Daeng, i cili u plagos rëndë në kokë, ndërkohë që ndodhej me manifestuesit antiqeveritarë në Bangkok, vdiq sot në mëngjes, njoftuan shërbimet e shpëtimit.
"Ai vdiq sot në mëngjes'', theksoi një zëdhënës i shërbimeve të shpëtimit.
Gjenerali 58-vjeçar, me emrin e vërtetë Khattiya Sawasdipol, u shtrua në spital në gjendje shumë të rëndë shëndetësore të enjten në darkë pasi mori një plumb në kokë ndërkohë që po intervistohej nga një gazetar në lagjen e pushtuar nga këmishëkuqtë, që prej fillimit të muajit prill.
Gjenerali, i pezulluar që prej muajit janar, mori drejtimin e partisë së këmishkuqve mes të cilëve gëzonte një popullaritet të madh dhe drejtonte operacionet e sigurisë në zonën e pushtuar pavarësisht zhgënjimit nga disa liderë të lëvizjes./
/ec/ a.jor.