English

Takim i papritur Ahmeti-Cërvenkovski, projektohen skenarë

Shkup, 17 maj, NOA - Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti papritur sot ka takuar kryetarin e LSDM-së dhe partnerin e vjetër qeveritar, Branko Cërvenkovski.

Në takimin për rreth dy orë janë diskutuar të gjitha çështjet e ndjeshme në vend, ndërsa Cërvenkovski ka bërë të ditur se për shumë punë janë dakorduar me Ahmetin.

Siç mëson agjencia e lajmeve INA nga burimet e këtyre dy partive, dy partnerët e dikurshëm kanë diskutuar edhe mundësinë e krijimit të një krize politike, e cila do të manifestohej me braktisjen e qeverisë nga partia shqiptare BDI, por edhe zgjerimi i frontit të forcave politike kundër VMRO-DPMNE-së.

Kryetari i LSDM-së, Branko Cërvenkovski ka theksuar se për dallim nga Gruevski, faktorët politik në vend duhet të bisedojnë.

“Këto takime dhe biseda janë të nevojshme sidomos në kohën kur është e rrënuar gjendja e sigurisë dhe politike, kur ka tensione ndëretnike, kur integrimet euro-atlantike janë bllokuar dhe ekonomia po fundoset”, ka theksuar Cërvenkovski, duke shtuar se megjithatë ka dallime me Ahmetin për çështje të ndryshme.

Ahmeti dhe Cërvenkovski janë dakorduar për aktivitetet intensive për forcimin e dialogut ndëretnik, për zhbllokimin e proceseve euro-atlantike dhe projekte të tjera për të ardhmen e vendit.

I pyetur se si e komenton shqetësimin e BE-së për bllokimin e perspektivës euroatlantike, Cërvenkovski ka shtuar se vlerësimet e tilla duhet të shqetësojnë çdo politikan serioz, dhe sipas tij, sidomos Qeverinë.

Ali Ahmeti pas këtij takimi ka potencuar se çështjet e biseduara kanë qenë Sopoti, rastet e Hagës, statusi i luftëtarëve të UÇK-së.

”Këto raste nuk janë të rënda dhe tema radikale për të cilat ne do të dilnim nga Qeveria, për shkak se për to duhet të gjendet zgjidhje nëpërmjet negociatave. Vlerësoj se Maqedonisë nuk i janë të nevojshme zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Shteti nuk është i përgatitur për një hap të tillë”, ka theksuar Ahmeti, duke nënvizuar se së shpejti do të ketë një zgjidhje për kontestin e emrit me Greqinë.

Në BDI janë shtuar zërat kundër partnerit të koalicionit VMRO-DPMNE-së, pas mosrealizimit të takimit të pritur mes Ahmetit dhe Gruevskit, për të shtruar tre çështjet e hapura për zgjidhje: rasti i Sopotit, Ligji për UÇK-në si dhe mbyllja e rasteve të Hagës.

Takimi midis kreut të BDI-së dhe atij të LSDM-së ka pasuar para takimit të paralajmëruar midis Ahmetit dhe Gruevskit.

NOA-INA

KOMENTE