English

Tiranë, Policia Kërkon Nga Përdoruesit E Rrugës Të Respektojnë Kodin Rrugor

TIRANË, 17 Maj /ATSH-Mira Shkurta/. - Policia e kryeqytetit i fton të gjithë përdoruesit e rrugës, të zbatojnë me korrektësi gjatë drejtimit të mjetit normat e sjelljes dhe Kodin Rrugor. Me qëllim krijimin e lehtësirave, lëvizjen e lirë të mjeteve, si dhe parandalimin e aksidenteve në rrugë, blutë e kryeqytetit po ushtrojnë kontrolle në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara, etj. Përmes një njoftimi për mediat, policia e kryeqytetit bëri të ditur sot se "vetëm gjatë ditës së djeshme, shërbimet e Qarkullimit Rrugor në kryeqytet vendosën 1243 masa administrative, ndërsa pezulluan 10 leje drejtimi". Ndërkaq, "Për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasoja për jetën", policia arrestoi shtetasit Marsel Qoku dhe Petrit Sula, autorë të aksidentit të djeshëm në një nga rrugët kryesore të kryeqytetit, ku pas përplasjes së një motori me një automjet, humbi jetën këmbësorja 75 vjeçare Bijame Bruci, ndërsa mbeti i plagosur 66 vjeçari Halit Drici nga Tirana. Po "Për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor" policia arrestoi dje edhe shtetasin Elvis Lala, i cili teksa drejtonte mjetin e tij në unazën e re të qytetit të Kavajës, ka goditur nga pas një automjet të drejtuar nga 23 vjeçari Edmond Haka, duke i shkaktuar vdekjen këtij të fundit, dhe duke vënë në rrezik jetën e tre pasagjerëve që udhëtonin me 23 vjeçarin./m.sh/s.s./
KOMENTE