English

Topalli: Pamuk Gjen Tek Ne Një Ndër Vendet Ku Vepra E Tij Është Shqipëruar Pothuajse E Plotë

-Promovohet libri "Stambolli- Kujtime dhe Qyteti" i nobelistit turk Orhan Pamuk- TIRANË, 17 Maj /ATSH/ - "Nobelisti Orhan Pamuk vjen tek ne jo vetëm si një ndër autorët më në zë në letërsinë bashkëkohore turke, jo vetëm si një ndër romancierët më interesantë sot në letërsinë botërore, por ai gjen tek ne një ndër vendet ku vepra e tij është shqipëruar pothuaj e plotë", u shpreh të henen pasdite Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë ceremonisë së promovimit të librit "Stamboll- kujtime dhe qyteti", të nobelistit turk Orhan Pamuk, në mjediset e Kryesisë së Kuvendit. Kryeparlamentarja Topalli tha se "krahas lexuesit shqiptar ai do të zbulojë në Shqipëri një vend me histori e lidhje të hershme me vendin e vet, dhe një popull mik e mikpritës, që përmes afërsive kulturore, por edhe shpirtërore, do ta bëjnë të ndihet si në shtëpi të vet". Duke vlerësuar Pamuk , ajo tha se, "ai çmohet si krijuesi që nuk rresht kërkimin në rizbulimin e vlerave që sjellin ndryshim në shpirtin dhe jetën e individit". "Shqiptarët e njohin dhe e çmojnë nobelistin Pamuk edhe si shkrimtarin që në emër të së vertetës historike nuk hesht, guxon të flasë për fakte historike të hidhura, por që po nuk u denoncuan i mbajnë njerëzit të ndarë", tha znj. Topalli. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, shprehu kënaqësinë për vizitën që Pamuk do të zhvillojë nesër në Berat, të cilin ajo e cilësoi "një ndër qytetet më me vlerë në Shqipëri , një qytet 2400 vjeçar, që gëzon statusin e pasurisë botërore dhe është në kujdesin e UNESCO-s". "Është një qytet që me historinë dhe pasuritë kulturore kurrë nuk ka rreshtur së joshuri historianë e udhëtarë të të gjithë kohrave. Në joshjen e tij ka rënë edhe udhëtari turk Evlija Çelepia, i cili ka lënë pershkrime të mrekullueshme të një qyteti të lulëzuar", tha znj. Topalli. Shkrimtari i njohur turk, Orhan Pamuk, fituesi i çmimit Nobel në Letërsi për vitin 2006, vizitoi sot Tiranën me ftesë të botuesit të tij ekskluziv në gjuhën shqipe "Skanderbeg books". Pamuk ishte i pranishëm në marrjen e titullit "Doktor Honoris Causa", dhënë nga Universiteti i Tiranës, si dhe u prit në takime të veçanta nga Presidenti Topi, Kryeministri Berisha, etj. Orhan Pamuk është ndër autorët më të dashur për lexuesin shqiptar. Që prej vitit 2006 veprat e tij kanë qenë në krye të listes së titujve më të shitur në libraritë shqiptare. Gjatë kësaj kohe në gjuhën shqipe është botuar pjesa më e madhe e veprës së tij, si romanet "Unë jam e kuqja", "Bora", "Kështjella e bardhë", "Shtëpia e heshtjes", "Jeta e re", si edhe libri me ese "Baulja e babait". Këtë vit pritet të botohen edhe romanet "Muzeu i pafajësisë" dhe "Libri i zi", vepra që pothuajse përmbyllin korpusin e tij letrar në shqip. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm artistë, shkrimtarë, personalitete të letrave dhe artit shqiptar, përfaqësues të Trupit Diplomatik. /gj.m/s.s./
KOMENTE