English

Ut Nderon Me Titullin 'Doctor Honoris Kauza' Nobelistin Orhan Pamuk

TIRANË, 17 Maj/ ATSH- Suada Daci/- Universiteti i Tiranës nderoi sot nobelistin dhe shkrimtarin e njohur turk Orhan Pamuk me titullin "Doctor Honoris Causa", me motivacionin "Për kontribut të shquar në fushën e letrave, të emancipimit shoqëror dhe të dialogut mes qytetërimeve", pas propozimit të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë. Rektori i UT-së, Dhori Kule, theksoi në ceremoninë e organizuar me këtë rast se "është një ditë e veçantë për Universitetin e Tiranës që ardhjen në Shqipëri të shkrimtarit Orhan Pamuk ta festojmë me nderin që ne i bëjmë atij duke e pranuar si anëtar të veçantë të universitetit të Tiranës me titullin "Doctor Honoris Causa". Kule tha se letërsia i sjell afër kombet. "Kjo vlen edhe për marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë, të cilat janë në pikun e tyre, ku një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe letërsia", tha rektori i UT-së. Shkrimtari Orhan Pamuk tha se "dita e sotme është e paharruar për mua. Prej 40 vjetësh kam shkruar romane, dhe pjesën me të madhe të kohës e kam kaluar në dhomën time, ndërsa këto 5 vitet e fundit jam profesor në Universitetin e Kolumbias në Amerikë". Duke folur për identitetin dhe modernizmin, Pamuk sqaroi se "popujt sot po bëjnë përpjekje për t'u përqafuar me modernizmin, por në asnjë moment ata nuk duhet të harrojnë identitetin e tyre". "Ne jemi të ndërgjegjshëm se nuk jemi robër të historisë, por nëse do të shkëputemi nga ajo do të gabojmë rëndë", tha Pamuk, duke shtuar se "të gjitha këto çështje janë tema të shprehura në një mënyrë mjaft modeste në librat e mi". Në këtë ceremoni morën pjesë edhe ministri i Arsimit dhe i Shkencës, Myqerem Tafaj, anëtarët e senatit akademik të Universitetit të Tiranës, Ambasadori i Turqisë në Shqipëri , Hasan Aan, etj. Shkrimtari dhe nobelisti i njohur Orhan Pamuk vjen për herë të parë në Shqipëri dhe është një ndër autorët më të dashur për lexuesin shqiptar. Që prej vitit 2006 veprat e tij kanë qenë në krye të listës së titujve më të shitur në libraritë shqiptare. Gjatë kësaj kohe në gjuhën shqipe është botuar pjesa më e made e veprës së tij, si romanet "Unë jam e kuqja", "Bora", "Kështjella e bardhë", "Shtëpia e heshtjes", "Jeta e re", si edhe libri me ese "Baulja e babait". Këtë vit pritet të botohen edhe romanet "Muzeu i pafajësisë" dhe "Libri i zi"./s.s./
KOMENTE