English

Xhafaj feston ditëlindjen në çadrën e grevës

Tiranë, 17 maj, NOA – Kjo ditë ndoshta do t’i sillet gjatë në mendje për gjithë jetën, pasi nuk ka qenë si të tjerat.

Përveçse një përvjetor i zakonshëm i ditës së lindjes, për deputetin socialist Fatmir Xhafaj dita e sotme ka përbërë një surprizë të vërtetë, pasi nuk e ka kaluar atë as në familje dhe as në ndonjë vend të bukur me miq dhe të afërm.

Por ditëlindja e këtij viti e ka gjetur atë poshtë godinës së Kryeministrisë, i ngujuar në një çadër me socialistë të tjerë, bashkë me të cilët ka mëse 17 ditë që refuzon ushqimin në kuadrin e një mase ekstreme të ndërmarrë për të ashtuquajturën kauzën e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit.

Lajmi konfirmohet nga vetë burimet e selisë rozë për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilave deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj ka festuar sot ditëlindjen, në mjediset e çadrave të grevës së urisë.

Sikundër bëhet me dijeni se për t’i bërë atij urimet e rastit, ka qenë i pranishëm në këtë festë edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili i ka dërguar edhe një tufë të madhe me lule në shenjë urimi për ditëlindjen e tij.

Lulet i janë dorëzuar deputetit Xhafaj nga vetë Rama, i cili më tej ka ndaluar për disa minuta duke biseduar me grevistët.

KOMENTE