English

Afganistan - Arrin Në 18 Bilanci I Viktimave Nga Atentati Në Kabul

KABUL, 18 maj /ATSH-AFP/ - Një atentat kamikaz me autobombë, kundër forcave të NATO-s në Kabul, rezultoi në vdekjen e të paktën 18 personave, ndër të cilët edhe gjashtë ushtarë të forcave ndërkombëtare, sulmi më i rëndë në kryeqytetin e Afganistanit, që prej shkurtit të vitit 2009. Talebanët morën përsipër sulmin përmes një telefonate për AFP-në. "Gjashtë ushtarë ndërkombëtarë mbetën të vdekur dhe shumë të tjerë u plagosën kur një kamikaz shpërtheu autobombën në afërsi të një autokolone të ISAF, forcat e NATO-s dhe në afërsi të disa automjeteve civile që udhëtonin sot në rrugën drejt Darulaman", u shpreh komandanti i NATO-s përmes një deklarate, por pa shtuar asnjë hollësi mbi kombësinë e ushtarëve. Ambasadori i Italisë në Kabul pak orë më parë deklaroi se autokolona e shënjestruar nga sulmi ishte me ushtarë amerikanë. "Disa civilë afganë humbën jetën dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur", shtoi NATO. Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme, Zemaray Bashary, 12 civilë mbetën të vdekur dhe 47 të tjerë janë plagosur nga ky atentat në perëndim të Kabulit./ /i.p/
KOMENTE