English

Afganistan - Më Tepër Se 20 Civilë Vriten Në Një Atentat Kundër Focave Të Nato-S

KABUL, 18 maj /ATSH-AFP/ - Më tepër se 20 civilë gjetën vdekjen në atentatin kamikaz me autobombë që kishte si objektiv forcat e NATO-s në perëndim të Kabulit, njoftoi AFP-në gjenerali Ahmad Zia Jaftali, mjeku kryesor i ushtrisë afgane. "Deri tani kemi pesë trupa në spital, por numri i të vdekurve është më tepër se 20. Janë të gjithë civilë. Bilanci i të vdekurve është shumë i lartë", deklaroi gjenerali Jaftali. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Zemaray Bashari, ka bërë të ditur më parë se atentati që synonte forcat ndërkombëtare kishte ndodhur përballë një spitali. "Ka civilë të vrarë dhe civilë të plagosur. Nuk dihet ende se sa janë viktimat", ka deklaruar ai. Atentati ndodhi në një lagje të Kabulit ku ndodhet parlamenti, muzeu kombëtar, një spital që financohet nga perëndimorët dhe pallati Darul-Aman. NATO-ja nuk konfirmoi se shënjestra e sulmit ishin ushtarët e saj. "Ndodhemi në vend për të ndihmuar dhe hetuar, por është shumë herët për të thënë nëse ka viktima nga ana e NATO-s", u shpreh një zëdhënësi i Aleancës Atlantike. Televizioni afgan tregoi imazhet e ushtarëve amerikanë dhe policëve afganë që inspektonin zonën. Ndërkohë, talebanët e morën përsipër atentatin e sotëm kamikaz me autobombë që kishte në objektiv forcat e NATO-s dhe që shkaktoi më tepër se 20 të vdekur, njoftoi AFP-në me telefon zëdhënësi i komandantit të rebelëve, Zabihullah Muxhahid. "E marrim përsipër përgjegjësinë për këtë sulm. Sulmi, që ishte një atentat kamikaz me autobombë, u krye nga muxhahidini ynë", deklaroi Muxhahidi. "Sulmi synonte pushtuesit e NATO-s", shtoi ky zëdhënës i cili foli me telefon pa treguar vendndodhjen. /I.Pu.
KOMENTE