English

Bashkia E Milanos, Studim Për Zgjidhjen E Problemit Të Transportit Në Tiranë

- Kryetarja e Bashkisë së Milanos, Letizia Morati, nxit paraqitjen e potencialeve shqiptare në "Ekspo-Milano 2015" - TIRANË, 18 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Kryetarja e Bashkisë së Milanos, Letizia Morati, i ofroi sot qeverisë shqiptare kryerjen e një studimi nga një prej kompanive më të njohura milaneze për zgjidhjen e problemit të transportit rrugor në Tiranë. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Sali Berisha, znj. Morati tha se ky studim do të ofrohet falas nga Bashkia e Milanos, ndërkohë që do të jetë qeveria dhe pushteti vendor që do të vendosin për sa i përket shfrytëzimit të këtij studimi. Kryetarja e Bashkisë së Milanos, që është njëkohësisht Komisare e Jashtëzakonshme e qeverisë italiane për "Ekspo-Milano 2015", theksoi se "projektet në kuadër të këtij aktiviteti do të shërbenin për të forcuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve në sektorin e ushqimit dhe energjisë dhe për të bashkëpunuar më tej në sektorin ekonomik, por edhe në kulturë e shkencë". "Deklarata e përbashkët që u nënshkrua sot midis Shqipërisë dhe Italisë do të identifikojë të gjitha rrugët që bëjnë të mundur zhvillimin e mëtejshëm të këtyre sektorëve, në mënyrë që dy vendet tona të nxjerrin përfitimet e tyre. Këtu duhet të kemi parasysh edhe potencialet e mëdha që gëzon Shqipëria", tha znj. Morati. Duke nxitur paraqitjen e potencialeve shqiptare në "Ekspo-Milano 2015", znj. Morati u shpreh se "kjo do të inkurajojë shoqëritë shqiptare për të bashkëpunuar në të ardhmen me shoqëritë milaneze, jo vetëm në sektorët e energjisë dhe ushqimit, por edhe në atë të turizmit". Znj. Morati theksoi bashkëpunimin në sektorin agro-industrial, ku sipas saj, "Milano zë një vend të konsiderueshëm dhe rajoni i Lombardisë zë vendin e parë në Europë përsa i përket nivelit të prodhimit të agro-industrisë". Ekspozita botërore, e cila aktualisht po zhvillohet në Shanghai, në vitin 2015 do të zhvillohet në Milano dhe do të ketë një kohëzgjatje prej rreth 6 muajsh. Në "Ekspo-Milano 2015" parashikohet të marrin pjesë rreth 150 vende dhe të ketë rreth 20 milionë vizitorë./s.s./
KOMENTE