Berisha: Shqiperia Tashme Eshte Nje Vend I Stabilizuar Dhe I Kushton Vemendje Solidaritetit Qytetar
- Kryeministri Berisha pret perfaqesues te Caritas-it Evropian -
TIRANE, 18 Maj/ATSH/. - Shqiperia tashme eshte nje vend i stabilizuar dhe i kushton vemendje solidaritetit qytetar si dhe bashkepunimit midis shoqerise civile, komunitetit me qeverine qendrore e vendore, relacione këto tashme jane te garantuara e institucionalizuara me fonde dhe ligj te veçante, u shpreh sot Kryeministri Berisha.
Sipas Zyres se Shtypit te Kryeministrise, Berisha priti sot në një takim miqësor përfaqësues të Caritas-it Evropian, të cilët janë në Shqipëri në kuadër të krijimit të rrjetit të Caritas-eve të Evropës Juglindore për përballjen e emergjencave në këtë rajon.
Në takim merrnin pjesë donatorë dhe përfaqësues të Caritasi-t evropian me përfaqësues gjermanë, rumunë, bullgarë, kosovarë, belgë dhe turq, të cilët duke falënderuar Kryeministrin për pritjen, shprehën vlerësimin për kontributin e qeverisë shqiptare në krijimin e një klime mbështetjeje e bashkëpunimi me Caritas-in shqiptar.
Përfaqësuesit e Caritas-it Evropian njoftuan kryeministrin Berisha për organizimin e rrjetit të tyre në rajonin e Ballkanit dhe për objektivat e kësaj organizate në favor të përballimit të rreziqeve dhe shtresave në nevojë.
"20 vjet të aktivitetit të Caritasi-t në Shqipëri përbëjnë një ndihmë të çmuar për popullin shqiptar", u shpreh Kryeministri Berisha, duke cilësuar se organizata juaj ka qenë përkrah qytetarëve shqiptarë, grupeve shoqërore në nevojë në të gjitha situatat si dhe në momente fatkeqësish natyrore, sikurse ishte rasti i përmbytjeve në rrethin e Shkodrës. "Për këtë ju jemi mirënjohës", tha Berisha.
"Qeveria shqiptare e vlerëson si hap të rëndësishëm krijimin e rrjetit evropian për rajonin tonë dhe këndvështrimin, që ajo synon në menaxhimin e rreziqeve. Kjo iniciativë do të ketë mbështetjen dhe mirëkuptimin e qeverisë shqiptare. Shqipëria tashmë është një vend i stabilizuar dhe i kushton vëmendje solidaritetit qytetar, si dhe bashkëpunimit midis shoqërisë civile, komunitetit me qeverinë qendrore e vendore. Këto relacione tashmë janë të garantuara e institucionalizuara me fonde dhe ligj të veçantë. Në programin dhe veprimin e qeverisë shqiptare do të gjeni përherë një partner të gatshëm për bashkëpunim", përfundoi z. Berisha. /a.ke/