Durrës: Baleti Francez, Katër Pjesë Që Dëshmojnë Energjinë E Lëvizjes
DURRËS, 18 maj /ATSH-Gëzim Kabashi/ - Kompania franceze Ballet Actuell ka qenë protagoniste e mbrëmjes së 7-të të Festivalit Ndërkombëtar të Dansit Modern dhe Kontemporan që po zhvillohet në qytetin e Durrësit nga shoqata "Durrës Beauty" në këtë edicion të 5-të jubilar, me mbështetje të Bashkisë dhe MTKRS.
Performanca e shfaqjes franceze ishte ndërtuar me katër pjesë të shkurtra, të shkëputura nga krijimet më të fundit të kompanisë Ballet Actuel.
Artistët Sandra Martineau, Claire Massias, Loïc Marchi, Geoffrey Ploquin sollën në skenën e teatrit "Aleksandër Moisiu" universe të ndryshëm në koreografi dhe muzikë, por që të gjitha me një ide të përbashkët: një kërkim i pandalshëm për energjinë e brendshme organike që mbart lëvizja.
Pjesët prej 8-10 minuta, me muzikë të përzgjedhur dhe miksuar nga David Dilliès, "Love me tender", "Et an bas, il y avait le bleu du ciel" dhe "Point de suspension", u bënë pararendëse të veprës "Trans Lucide", e cila në 35 minuta dëshmoi kapacitet artistik dhe serizotet profesional të trupës, që përgatitet që prej 20 vjetësh nga Nathalie Bard në një lloj teatri alternativ që po fiton gjithë e më shumë shikues mes të rinjve, nxënësve dhe studentëve.
Deri tani ka përfunduar intepretimi i trupave nga Spanja, Zvicra, Izraeli, SHBA, Suedia, Franca dhe Hungaria. Spektakli i radhës më 21 maj që do të ngjisë në skenë trupën fanceze të koreografit Fabrice Lambert mbështetet nga Ministria franceze e Kulturës dhe komunikimit.
Festivali Ndërkombëtar i Dansit Modern dhe Kontemporan ka nisur më 1 maj me shfaqjen "The light" nga trupa spanjolle Jesus Quiroga dhe do të mbyllet më 28 maj me shfaqjen "No.Thing" të trupës trupës zvicerane "Linga Co".
Në këtë edicion jubilar që për herë të parë shtrihet në një muaj, një pjesë e kompanive të huaja kanë ardhur me "prodhimet" e viteve 2009-2010 dhe gjatë këtij edicioni po shfaqen edhe disa premiera botërore.
Festivali i Dansit ka nisur në vitin 2006 dhe deri tani në skenat e teatrit të Durrësit dhe Tiranës janë përballur artistikisht trupa dhe kompani të teatrit alternativ nga Kosova, Maqedonia, Suedia, Hollanda, Turqia, Italia, Kroacia, Shqipëria, Izraeli, Hungaria, Sllovenia, Zvicra, Greqia, etj./ch/