Ekonomi - Be-Ja Bie Dakord Për Të Kontrolluar Më Mirë Fondet Spekuluese
BRUKSEL, 18 maj /ATSH-AFP/ - Ministrat e Financave të Bashkimit Evropian ranë dakord sot në Bruksel për një projekt që synon një kontroll më të mirë të fondeve spekuluese, pavarësisht ngurrimit të Britanisë së Madhe, njoftuan burime diplomatike.
Dokumenti "u miratua", i bëri të ditur AFP-së një nga këto burime.
Projekti pritet të kontrollojë fondet e quajtura edhe "alternative": të famshmet fonde spekuluese (hedge funds), por edhe ato të kapitalit të riskuar ose të investimit.
Me shfaqjen e krizës financiare, për të cilën ato akuzohen se e kanë shtuar, Bashkimi Evropian u përpoq për herë të parë të rregullonte aktivitetin e tyre.
Një marrëveshje mes vendeve evropiane u skicua javën e kaluar mes diplomatëve.
Ministrat e Financave pritej ta konfirmonin.
Vendet e BE-së pritet tashmë të fillojnë bisedime me Parlamentin Evropian, për një kompromis dhe një miratim përfundimtar, që pritet të arrihet përpara verës.
Një komision shumë i rëndësishëm i krijuar në Parlamentin Evropian miratoi dje në mbrëmje një dokument, më pak shtrëngues se ai i shteteve të BE-së.
Ky projekt për rregullimin e fondeve spekuluese e shqetëson Mbretërinë e Bashkuar, e cila kujdeset të mbrojë qendrën financiare të Londrës, që deri tani e ka bllokuar këtë dosje.
/I.Pu.