Ekonomi - Shba - Senati Miraton Një Masë Që Synon Bllokimin E Ndihmave Të Fmn-Së
UASHINGTON, 18 maj /ATSH-AFP/ - Senatorët amerikanë miratuan pa ngurim dje një amendament që synon bllokimin e ndihmave që vijnë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, si ajo për Greqinë, në mungesë të garancive të rimbursimit.
Parlamentarët u shprehën me 94 vota në favor dhe asnjë kundër për miratimin e këtij amendamenti që lidhet me reformën e gjerë të Wall Street-it, e propozuar nga republikani John Cornyn, senator i Teksasit.
Amendamenti kërkon që administrata e presidentit Barack Obama të shqyrtojë nëse ekziston mundësia e rimbursimit të ndihmës së dhënë nga FMN-ja për një vend borxhi publik i të cilit e kalon PBB-në e tij vjetore.
Nëse administrata nuk mund të ofrojë një garanci të tillë, sipas këtij amendamenti ajo duhet ta kundërshtojë dhënien e ndihmës dhe përfaqësuesi i saj në FMN duhet të votojë kundër.
"Greqia do të marrë 40 miliardë dollarë ndihma nga FMN-ja, shtatë miliardë prej të cilave mund të jepen nga taksapaguesit amerikanë. Ata nuk duhet ta bëjnë këtë pa garancinë që ajo të rimbursohet", bëri të ditur senatori Cornyn pak përpara miratimit të amendamentit.
"Nëse nuk tregohemi të vëmendshëm, Shtetet e Bashkuara do të bëhen si Greqia dhe do të kenë nevojë për ndihma për t'i nxjerrë nga situata e vështirë ekonomike dhe nuk do të na japë askush, as taksapaguesit amerikanë", vazhdoi ai.
Nëse Senati e miraton reformën e Wall Street-it, amendamenti do t'i mbijetojë përpjekjeve të Dhomës së Lartë dhe të Dhomës së Ulët për përputhjen e versioneve të tyre të ligjit, përpara shpalljes nga presidenti Obama.
Megjithatë, disa zëra në Senat shprehën shqetësimin se një masë e tillë do të paragjykohet nga vendet më të varfëra të botës.
FMN-ja miratoi më 9 maj dhënien e një ndihme rekord prej 30 milardë euro për Greqinë, vështirësitë ekonomike të së cilës i kanë tronditur bursat e planetit. Kjo ndihmë përfshihet në kuadrin e një plani të paprecedent prej 110 miliardë eurosh me Bashkimin Evropian.
/I.Pu.