English

Ekonomi - Taksa Për Transaksionet Financiare: Berlini Dhe Parisi Ende Të Matur

BRUKSEL, 18 maj /ATSH-AFP/ - Ministrat e Financave të Gjermanisë dhe Francës, Wolfgang Schäuble dhe Christine Lagarde reaguan sot me kujdes ndaj idesë për futjen e një takse mbi transaksionet financiare, në kuadrin e një mbledhjeje me homologët evropianë në Bruksel. "Një taksë për transaksionet financiare mund të funksionojë në mënyrë të arsyeshme vetëm nëse vihet në zbatim në shkallë botërore", bëri të ditur ministri gjerman Wolfgang Schäuble, i cili ka "dyshime të mëdha" lidhur me mundësinë e arritjes së saj. "Por, megjithatë jam në favor të përpjekjeve të përbashkëta si evropianë për një zgjidhje të tillë. Data vendimtare është samiti i kryetarëve të shteteve dhe qeverive të G20-s në qershor në Kanada", shtoi ai. Homologia e tij franceze Christine Lagarde u shpreh se "duhet ta marrim në konsideratë taksimin e bankave dhe të sektorit financiar në përgjithësi, në tërësi dhe të tregojmë shumë kujdes ndaj bazës mbi të cilën llogaritet taksa". "Trasaksionet financiare mund të mos jenë mjeti më i efektshëm në llogaritjen e një takse", theksoi Lagarde. "Ka edhe baza të tjera llogaritjesh, si bilanci i bankave", shtoi ajo. Sidoqoftë, "nuk duhet të ketë asnjë diskriminim, asnjë avantazh për bankat ose institucionet financiare që do të mbeten jashtë fushës së taksimit", këmbënguli Lagarde. Kryetarët e grupeve politike të Parlamentit Evropian të mbledhur në sesion në Strasburg u shprehën të gjithë sot në favor të një takse për transaksionet financiare, por çështja është ende objekt mosmarrëveshjesh mes konservatorëve të Partisë Popullore Evropiane, pranoi kryetari i grupit, francezi Joseph Daul. "Personalisht jam në favor, por e di se do të kem debate brenda grupit tim", shpjegoi ai në një konferencë shtypi. Socialistët shprehen për një taksë prej 0,05 për qind mbi të gjitha transaksionet financiare, gjë që do të bënte të mundur mbledhjen e më tepër se 10 miliardë eurove", shpjegoi kryetari i grupit të tyre, gjermani Martin Schulz. /I.Pu.
KOMENTE