"Ekspo-Milano 2015"-Berisha: Mundësi Për Ekspozimin E Potencialeve Të Vendit Para Investitorëve Të Huaj
- Kryeministri Berisha takon Kryetaren e Bashkisë së Milanos, Letizia Morati -
TIRANË, 18 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha tha sot se Shqipëria ka potenciale të mëdha të energjisë së rinovueshme, ndërsa shprehu bindjen se "Ekspo-Milano 2015" do të shërbejë si mundësi për të ekspozuar potencialet e vendit para investitorëve të huaj.
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Kryetaren e Bashkisë së Milanos, Letizia Morati, e cila është njëkohësisht edhe Komisare e Jashtëzakonshme e qeverisë italiane për "Ekspo-Milano 2015".
Në prani të Kryeministrit Berisha, zonja Morati dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, nënshkruan deklaratën e përbashkët mes dy vendeve mbi "Ekspo-Milano 2015", me temë "Të ushqesh planetin, energji për jetën".
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me znj. Morati, Kreu i Qeverisë e konsideroi "Ekspo-Milano 2015" një prej ngjarjeve më të mëdha të biznesit botëror në dekadën e dytë të shekullit XXI.
Kryeministri Berisha shprehu bindjen se në "Ekspo-Milano 2015", Shqipëria do të përfaqësohet me shumë projekte të realizuara. Shqipëria, tha Kryeministri, "do të jetë një nga vendet me rritjen më të shpejtë të prodhimit të energjisë së rinovueshme në rajon dhe më gjerë dhe do të ketë kompletuar të gjithë kuadrin ligjor për shfrytëzimin e energjisë nukleare për qëllime paqësore dhe do të shqyrtohen të gjitha opsionet për fillimin e këtij shfrytëzimi".
"Kjo ekspozitë nuk projektohet thjesht si një muze i arritjeve më të mëdha të teknologjisë dhe biznesit botëror, por si një proces pothuaj universal në të cilin kombet e planetit gjejnë mundësinë për të promovuar të gjitha potencialet e tyre në dy fusha jetike, siç janë enegjia dhe ushqimi, por edhe në fusha të tjera", tha Kryeministri.
Kryeministri shprehu bindjen se "Ekspo-Milano 2015", kjo ngjarje e madhe botërore, do të shndërrohet gjithashtu në një promotor të fuqishëm nga e cila do përfitojë Shqipëria. Energjia dhe ushqimi, sipas Kryeministrit Berisha, "janë dy sektorë prioritarë të qeverisë shqiptare".
Duke shprehur bindjen se potenciali i bashkëpunimit të Shqipërisë me Milanon është i jashtëzakonshëm, Kryeministri Berisha theksoi se "Milano është qyteti që prodhon 10 për qind të GDP-së së Italisë, me rreth 300 mijë sipërmarrje që prodhojnë nga satelitët më të sofistikuar tek stilolapsat".
Problemet e trafikut dhe transportit në kryeqytet, sipas Kryeministrit Berisha, ishin temë e bisedimeve dypalëshe. "Problemet dhe mangësitë serioze në këtë sektor mundojnë çdo ditë qytetarët e Tiranës. Ministria e Punëve Publike do të bashkëpunojë me njërën prej kompanive më kryesore në fushën e transportit të Milanos për të studiuar cila është mënyra më e mirë për të lehtësuar qytetarët e kryeqytetit në lëvizjen e tyre të përditshme", tha Kryeministri Berisha.
Për sa i përket bllokimit të qarkullimit rrugor në bulevardin qendror të Tiranës nga greva e urisë së opozitës, Kryeministri Berisha i kërkoi Kryetarit të PS-së, Rama, që "të pyesë kampionin e botës në grevat e urisë që është Marco Panella nëse i ka bllokuar ndonjëherë rrugët e qytetit të tij me grevat e urisë". "Ai erdhi dhe vizitoi grevën dhe më thanë se ka deklaruar se çdo gjë mund të bëni, por rrugën nuk mund ta bllokoni", tha z. Berisha./s.s./