Gjirokaster: Zhvillohet Konferenca "Shanse E Perspektiva Te Zhvillimit Te Turizmit Ne Gjirokaster Dhe Ne Rajon"
GJIROKASTËR, 18 Maj/ATSH-Telnis Skuqi/. - "Shanse e perspektiva të zhvillimit të turizmit në Gjirokastër dhe në rajon" ishte problematika, rreth së cilës u debatua në një konference rajonale të zhvilluar të martën në Gjirokaster me iniciativën e Bashkisë dhe Agjencisë Holandeze të Zhvillimit.
Të pranishmit i përshëndetën Prefektja Mimoza Çomo, kryetari i bashkisë, Flamur Bime dhe përfaqësuesja e zyrës së UNESCO-s në Tiranë, Zhuljeta Harasani.
"Vizioni dhe programet e bashkisë për mbështetje të turizmit në Gjirokastër", ishte tema që prezantoi ekspertja e programim - zhvillimit në këtë bashki, Aurora Laze, ndërsa kryetari i Dhomës së Tregëtisë, Mustafa Devoli, e fokusoi diskutimin e tij në temën "Biznesi në shërbim të Turizmit".
Përfaqësuesi i ZAKPAA, Engjellush Serjani, prezantoi hapat e hedhur në katër vjet për kthimin e Parkut Arkeologjik të Antigonesë në një nga qendrat më të frekuentuara nga vizitorët dhe në model të turizmit kulturor në rajon.
Eksperti gjerman i GCDO-së, Stefan Demke dhe Daniela Qiqi, pedagoge e degës së turizmit pranë Universitetit "Eqrem Çabej" u ndalën tek nevoja e perceptimit të turizmit si produkt me vlerë tregu. /a.ke/