English

Greva e urisë së PS në ditën e 18-të, deri tani 54 grevistë në spital

Tiranë, 18 maj, NOA – Ka hyrë në ditën e saj të tetëmbëdhjetë greva e urisë së 20 deputetëve socialistë dhe 180 mbështetësve të tyre, e iniciuar që mbrëmjen e 30 prillit poshtë selisë së Kryeministrisë.

Burime nga selia rozë konfirmojnë se deri tani janë larguar nga çadrat e ngujimit 54 grevistë, të cilët janë nisur drejt mjediseve spitalore për të marrë ndihmë mjekësore në kuadrin e përkeqësimit të kushteve të tyre shëndetësore, si pasojë e ditëve që po rendin njëra pas tjetrës në këtë grevë urie.

Nga ana e tij, kreu socialist Edi Rama, në fjalimin e përnatshëm para protestuesve komunikoi se jo vetëm që masa ekstreme e opozitës nuk ka për t’u ndalur këtu, por se janë gati të futen edhe grevistë të tjerë në mjediset e çadrave, duke zëvendësuar ata që po largohen.

Në këtë mënyrë, ka lënë të kuptohet se skenari i opozitës për këtë aksion të saj është zgjatja me sa të mundet e masës ekstreme, për ta shtrënguar medoemos mazhorancën të reagojë ndaj plotësimit të kërkesës së saj për transparencën e procesit të votimit të 28 qershorit.

a.y/NOA

KOMENTE