English

Grupi Parlamentar I Ps-Së Vendos Vazhdimin E Grevës Së Urisë

TIRANË, 18 Maj/ATSH/.- Grupi parlamentar i Partisë Socialiste (PS) vendosi mesditën e së martës vazhdimin e grevës së urisë për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, që sot ka hyrë në ditën e 18-të të saj. "Vendim i rëndësishëm i mbledhjes së sotme të grupit socialist është vazhdimi i qëndresës. Ky është mesazhi që ne i japim qeverisë, kryeministrit dhe gjithë institucioneve në vend. Vendimi i sotëm është kulmimi i gjithë asaj që ne kemi bërë në këta dhjetë muaj, por sidomos në këto dy javë të protestës", tha për mediat zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli. Lidhur me ecurinë e protestave, Kodheli tha se ato do të vazhdojnë, duke shtuar se kemi shumë njerëz, që jo vetëm janë të gatshëm të vijnë në protestë, por dhe janë shprehur për t'u bërë pjesë e grevës së urisë. "Ne kemi shprehur bashkarisht gatishmërinë tonë për ta çuar deri në fund veprimin tonë politik për transparencën e zgjedhjeve. Më vjen keq për qëndrimin e maxhorancës, pasi ne kemi treguar që dimë të ulemi në kompromis dhe të tolerojmë për të mirën e një politike ndryshe në të mirë vendit e të ardhmes europiane të Shqipërisë", u shpreh deputetja Kodheli. Greva e 22 deputetëve të opozitës dhe 180 mbështetësve të saj për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, që po zhvillohet përballë selisë së Kryeministrisë, ka hyrë sot në ditën e 18-të të saj dhe numëron 55 të larguar, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. /a.s/ s.s./
KOMENTE