Tiranë, 18 maj, NOA - Shqipëria po numëron frikshëm rastet e kancerit të qafës së mitrës tek femrat, kryesisht të moshave 20 deri në 30 vjeç. Sipas drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, shifrat e larta lidhen me mungesën e një programi depistimi.
Ylli thotë se përveç Tiranës e Durrësit, qytetet e tjera kanë mungesë kapacitetesh diagnostikuese ç’ka bën që virusi i kancerit të qafës së mitrës të kapet në stade të larta.
“Ne nuk kemi një program depistimi dhe përveç Tiranës e më pak Durrësit, në rrethe të tjera të vendit ka mungesë ekzaminimesh për kapjen e hershme të virusit të papilomas prej të cilit shkaktohet kanceri i qafës së mitrës”, u shpreh Ylli.
Për të parandaluar shfaqjen e sëmundjes së rëndë tek moshat e reja, Instituti i Shëndetit Publik ka menduar ta përfshijë në kalendarin kombëtar të vaksinimit, vaksinën kundër kancerit të qafës së mitrës.
Sipas drejtorit të ISHP, kjo vaksinë mendohet të parandalojë rreth 90 për qind të popullatës femër, ndërsa mendohet që të nisin programe të reja depistimi me kosto shumë të lirë për femrat e moshës 30 vjeç të cilat për efekt të kostos së lartë nuk mund të përfshihen në kalendarin e vaksinimit.
Në Shqipëri mungojnë të dhënat për sëmundshmërinë nga kanceri i qafës së mitrës, por sipas OBSH mendohet se çdo vit diagnostikohen rreth 300 raste të reja. Kjo sëmundje zë vendin e dytë për sa i takon vdekshmërisë tek gratë, pas kancerit të gjirit.
b.a/NOA