Kancerit Cervikal-Synohet Përfshirja E Vaksinës Në Programet E Imunizimit Brenda Disa Viteve
TIRANË, 18 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ - Strukturat shëndetësore po diskutojnë për përfshirjen brenda disa viteve në programet e imunizimit të vaksinës kundër papiloma virus, që shkakton kancerin cervikal.
Në një seminar të organizuar sot nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë në Hotel 'Tirana International', specialistët e fushës theksuan se "jemi në momentin që të marrim në konsideratë seriozisht futjen e vaksinës së papiloma virus në programet tona të vaksinimit".
"Është kancer që shkaktohet nga një virus dhe duke parandaluar virusin, nëpërmjet një vaksine, ne mund të parandalojmë kancerin", tha për ATSH-në drejtori I ISHP-së, Alban Ylli. "Për shumë arsye, besojmë se edhe pse kjo vaksinë është e shtrenjtë, mund të jetë kosto-efektive edhe për kushtet e Shqipërisë, për ta përfshirë në pak vite në programet e vaksinimit", theksoi ai, duke shtuar se "kemi shanse të fillojmë me një program të ri të vaskinimit, i cili të na rezultojë kosto-efektiv dhe të parandalojë 90 % të rasteve me kancer të qafës së mitrës".
Nga ana tjetër, sa i takon programeve të depistimit të kësaj sëmundjeje në popullatë, Ylli theksoi se "gradualisht, mund të ndërtojmë programe të kapjes së hershme më të thjeshta, që të mbulojnë 80 % të popullsisë, që të kapim edhe ato gra që nuk mund t'i vaksinojmë dot".
Aktualisht, programet e depistimit janë ende në hapat e parë të tyre. Mbulesa e popullatës, sipas të dhënave nga ISHP, është vetëm disa përqind në Tiranë dhe Durrës, ose në programe spontane, nëpërmjet të cilave merren masa për kapjen e hershme të tij. "Duhet të mendojmë për depistimin me paptestin apo me teknika të tjera pranë kujdesit parësor shëndetësor", nënvizoi Ylli.
Mënyrat më të efektshme për parandalimin e kancerit cervikal aktualisht janë vaksinimi, si dhe kryerja e kontrolleve të herëpashershme të PAP testit. Mosha më e përshtatshme për marrjen e vaksinës kundër kancerit cervikal është mosha e fillimit të pubertetit (13-15 vjeç). Vaksina e kancerit të qafës së mitrës jepet si një seri prej tre dozash për një periudhë 6-mujore.
Kanceri i qafës së mitrës është tumori i dytë më i shpeshtë te gratë, pas atij të gjirit.
OBSH ka llogaritur se çdo vit afërsisht 500000 gra diagnostikohen me kancer të qafës së mitrës dhe se mbi 50 për qind e tyre vdesin nga kjo sëmundje. Në botë, çdo dy minuta një femër vdes nga kanceri i qafës së mitrës. Ndërsa në Evropë, kjo ndodh në çdo 18 minuta.
Në Shqipëri, vihet re një tendencë e dyfishimit të të prekurave nga kjo sëmundje pas vitit 1993. Ndërkohë që mbetet shumë problematik fakti se shumica e rasteve diagnostikohen në stade të avancuara të sëmundjes, të tretin ose të katërtin, ku rreziku për jetën është i madh. /s.s./