Kina Shprehet Në Favor Të Marrëveshjes Bërthamore Iran-Turqi-Brazil
PEKIN, 18 maj /ATSH-AFP/ - Kina u deklarua sot në favor të marrëveshjes bërthamore Iran-Turqi-Brazil, në bazë të së cilës Teherani do të shkëmbejë uraniumin e tij lehtësisht të pasuruar kundrejt lëndëve djegëse bërthamore të nevojshme.
"E mbështesim këtë marrëveshje dhe theksojmë rëndësinë e saj", deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së jashtme kineze, Ma Zhaoxu.
"Shpresojmë që kjo të kontribuojë në promovimin e një zgjidhjeje paqësore të çështjes bërthamore iraniane", theksoi zëdhënësi i ministrisë gjatë një konference për shtyp.
Irani, Turqia dhe Brazili nënshkruan dje një marrëveshje të përbashkët shkëmbimi në territor turk të lëndëve djegëse bërthamore për Teheranin, me uraniumin e pasuruar deri në 20 për qind, në përpjekje për të zgjidhur krizën e lindur nga politika e Teheranit për pasurimin e uraniumit.
Aktualisht perëndimorët kanë shprehur mosbesimin lidhur me marrëveshjen e arritur nga Teherani dhe dy vendet në zhvillim, ndërkohë që negociatat mes Perëndimit dhe Iranit janë të bllokuara.
SHBA-ja, Evropa dhe po ashtu Izraeli besojnë se Irani zotëron armë bërthamore të cilat i fsheh përmes programit të tij bërthamor civil, fakt që vetë Irani e mohon dhe po diskutojnë sanksione të reja të OIKB-së kundër vendit.
Kina, aleate e Iranit, vazhdon të mbështesë idenë se dialogu është alternativa më e mirë dhe është shprehur kundër sanksioneve./
/i.p/