English

Komisioni I Ligjeve Shqyrton Dekretet E Presidentit Për Emërimet Në Gjykatën Kushtetuese

TIRANË, 18 Maj/ATSH-Anila Struga/.- Komisioni parlamentar i Ligjeve kaloi sot për miratim në Kuvend tre kandidaturat e dekretuara nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi për të qenë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Gjatë një seancë dëgjimore, të zhvilluar pa praninë e opozitës, tre kandidatët: Altina Xhoxhaj, Bashkim Dedja dhe Vangjel Kosta iu përgjigjën pyetjeve të anëtarëve të Komisionit të Ligjeve lidhur me integritetin e tyre profesional. Pasi i njohën deputetët me eksperiencën e tyre profesionale, edukimin ligjor, kualifikimet profesionale etj, tre kandidatët shprehën angazhimin e tyre për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit gjatë ushtrimit të funksionit të detyrës së tyre. Tre kandidaturat për anëtarë në Gjykatën Kushtetuese dhanë opinionin e tyre në përgjigje të pyetjeve të deputetëve lidhur me përmirësimin e legjislacionit për mënyrën e organizimit të kësaj gjykate, numrin e ankimimeve, vendimeve politike të marra prej saj, etj. Pasi dëgjoi prezantimin dhe përgjigjet e tre emërimeve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, Komisioni i Ligjeve i kaloi ato për miratim në seancën plenare. Gjithashtu, komisioni i Ligjeve miratoi sot disa ndryshime në ligjin "Për Kodin Rrugor", që synon vendosjen e tahografit dixhital (matës i shpejtësisë për mjetet e transportit tregtar apo publik), i cili garanton rritjen e sigurisë në rrugë. /a.s//n.m/
KOMENTE