Korçë, Mallra Kontrabandë, Arrestohen Autorët
KORÇË, 18 maj /ATSH-Behar Fejzulla/ - Policia e Korçës arrestoi të martën dy persona të dyshuar për kontrabandë mallrash nga pika doganore e Goricës.
Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Korçës, Eftiola Kacorri, bëri të ditur se, "policia arrestoi në flagrancë Vasil Nastoi 51 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale të kontrabandës së mallrave dhe shtetasen Viollandi Peçoi, 37 vjeç, të dy nga fshati Diellas, Korçë".
Vasil Nastoi u kap në flagrancë në hyrje të qytetit të Korçës, duke transportuar me automjetin e tij kamion me targa KO 2446 B sasinë prej 54 kv qepë, të cilat ishin futur kontrabandë në Pikën Doganore të Goricës.
Viollandi Peçoi u kap në flagrancë në hyrje të qytetit të Korçës, duke transportuar me automjetin, tip furgon, me targa KO 5392 B, një sasi prej 21 kv mollë, të cilat ishin futur kontrabandë në të njëjtën doganë.
Sipas burimeve nga policia, "kontrabanda është bërë në bashkëpunim me doganierë të Doganës së Goricës". Brenda këtij viti në këtë doganë ka patur katër raste të kalimit të mallrave kontrabandë. Dy muaj më parë, policia arrestoi dy doganierë të akuzuar për kontrabandë mallrash./ch/