Kukës: Plagoset Rëndë Gjatë Punës 36 Vjeçari
KUKËS, 18 maj /ATSH-R.Hoxha/ - Një punëtor është plagosur rëndë të martën gjatë punës në autostradë, në segmentin Mamëz-Fushë Dukagjin.
Burime zyrtare të policisë lokale pohojnë se "ndërsa ka qenë duke punuar në linjën e prodhimit, punëtori Rustem Saraçi, 36 vjeç, nga fshati Kryemadh i rrethit të Kukësit, është përfshirë nga rripat e transmesionit. Aksidenti në punë ka ndodhur rreth orës 10:00 të ditës së sotme, duke pësuar dëmtime të rënda në kokë dhe pjesë të tjera të trupit".
Kolegët e kanë dërguar menjëherë në spitalin e Kukësit, ku pasi ka marrë ndihmën e parë është transportuar me helikopter në spitalin Ushtarak të Tiranës.
Sipas mjekëve, 36 vjeçari ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Ndërkohë, kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes./ch/