English

Kukës: Reshje Bore Në Pranverë

KUKËS, 18 maj/ATSH-R.Hoxha/ - Janë rishfaqur reshjet e dëborës në zonën verilindore në lartësinë e mbi 1700 metrave mbi nivelin e detit. "Reshjet e dëborës janë shfaqur afër fshatrave rurale si Shishtaveci, Grykë Caja, Arrni, Kalisi, por pa shkaktuar probleme",- tha për ATSH-në përgjegjësi i zyrës së emergjencës civile në prefekturën e Kukësit, Azem Tema. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, Arif Rexhmati, tha për ATSH-në se "erërat e forta e reshjet e shiut të 48 orëve të fundit kanë shkaktuar pak dëme në të mbjellat e fermerëve të këtij rajoni dhe kryesisht në vreshtari". Ndërkohë, ka nisur puna për eliminimin e pasojave nga moti i keq i dy ditëve të fundit. Kështu janë eliminuar të gjitha defektet në rrjetin elektrik si dhe defektet e ndodhura në rrjetin e ujësjellësit e në të mbjellat e fermerëve privatë. Rrershjet e borës në muajin maj janë të pazakonta. Për herë të fundit rreshje të borës në zonën verilindore janë regjistruar në fillim të muajit maj të vitit 1989 që bënë të mundur edhe bllokimin e disa akseve rrugore rurale të komunave të largëta./ch/
KOMENTE