English

Lordi Alan Watson:Britania Mbështetje Aspiratës Europiane Të Shqipërisë

- Gjatë takimit me Kryetaren e Kuvendit, Topalli - TIRANË, 18 Maj/ATSH/.- Një nga personalitetet më të spikatur të politikës dhe akademikëve britanikë, Lordi Alan Watson, u prit sot në takim nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Sipas njoftimit zyrtar nga Kuvendi, Lordi Alan Watson, anëtar i Komisionit të Dhomës së Lordëve mbi çështje të Bashkimit Evropian, konfirmoi mbështetjen e gjithanshme të qeverisë dhe parlamentit të sapozgjedhur britanik në aspiratën europiane të Shqipërisë. Forcimi i bashkëpunimit, jo vetëm politik e parlamentar, por dhe në ekonomi e veçanërisht në arsim ishin fokusi i bisedës mes Kryetares Topalli dhe Lordit Uatson. "Britania është një vend mik i yni dhe për ne është shumë e rëndësishme mbështetja dhe partneriteti me këtë vend të fuqishëm në sferën europiane e globale", tha Kryetarja e Kuvendit, duke falënderuar Lordin Uatson për mbështetjen konkrete ndër vite të Britanisë, Mbretëreshës, qeverisë dhe parlamentit britanik. Duke folur mbi vlerat shqiptare, znj. Topalli tha se ndihet shumë krenare, që së afërmi do të hapet edhe në Londër një ekspozitë për nobelisten shqiptare, simbolin universal të dashurisë, Nënën Terezën. Lordi Watson shprehu kënaqësinë e tij për këtë eveniment, duke vlerësuar origjinën shqiptare të Nënë Terezës, si një vlerë unike. Lordi Watson është Kryetar i Unionit të Anglofonisë dhe i zgjedhur këtë vit në detyrën shumë të privilegjuar në hierarkinë akademike britanike dhe botërore, si zëvendëskancelar i përjetshëm i Universitetit Kambridge. Në këtë kuadër, Kryetarja e Kuvendit dhe Lordi Watson, i cili mori një ditë më parë titullin "Honoris Causa", nga Universiteti i Tiranës, diskutuan gjerësisht për bashkëpunimin në fushën e arsimit, dhënies së bursave për studentët shqiptarë dhe shkëmbimit të përvojës mes universiteteve të të dy vendeve. /a.s/s.s./
KOMENTE