English

Masakra e Cërrikut, rrëfehen dy tankistët e plagosur: Si përjetuam tmerrin

Tiranë, 18 Maj 2010 NOA - Dy shoferë tanku kanë treguar sot para gjykatës së Krimeve të Rënda sesi u zunë pritë në Cërrik, si dhe nuk e mësuan se nga vinin plumbat. Petrit Nikolli dhe Pashk Deda treguan sot ngjarjen e 25 maj të vitit 2007 dhe më poshtë ju mund të lexoni dëshminë e plotë:

“Makina ku isha unë ishte një blindë i bardhë me goma por kishte edhe 2 tanke, 2 blinda dhe një makinë policie. Drejtuesi i makinë ku isha unë ishte Dritan Hasa dhe ne ishim të parët në radhë rrugës për në Cërrik. Arsyeja e vajtjes tonë për në Cërrik ishte pasi na kishin njoftuar për një arsenal armësh, i cili duhej mbledhur.

Kemi ndaluar në një zonë para hyrjes së Cërrikut ku kemi gjetur rreth 7-8 automatikë dhe ca fishekë, të cilat i nxorëm dhe i morëm. Ndërkohë që në radio u njoftuam se ishte marrë komisariati i Cërrikut dhe këtë e dëgjova tek radioja që mbante Dritan Hasa. Kur u futëm në Cërrik para nesh ishte një fugon policie, i cili ecte me shpejtësi shumë të madhe. Ne e ndoqëm pasi mendonim se ishte i policisë dhe po na shoqëronte për të na treguar rrugën. Por ai ecte shumë shpejt dhe pasi pamë që fugoni kishte ndaluar ndaluam edhe ne. Dolëm nga blinda dhe u afruam kur pamë që nuk kishte asnjë person. Në këto momente shpërthyen të shtënat dhe pashë që u plagos Dritan Hasa në këmbë dhe plaga ishte rreth 8 cm e gjatë.

Më shumë lajme nga Kronika

E mora me vete dhe u afruam tek një kioskë aty dhe i thashë Pashk Dedës që të shikonte se mund të na godisnin. Dhe siç thashë unë ndodhi, u plagos edhe Pashk Deda, plumbi iu fut në kurriz dhe i doli nga kraharori. Në ato moment ai më tha: vdiqa. I thashë: nuk ka gjë mos u bëj merak, vetëm mbylle plagën. Mora dhe fillova të mjekoj këmbën e Dritan Hasës dhe ia lidha me copa bluzash, ndërsa plagën e Pashk Dedas vetëm e izolova pasi plumbi ishte i pastër. I mora të dy prej aty duke i mbajtur nga krahët dhe i thashë që duhet të largoheshim dhe të bashkoheshim me pjesën tjetër të grupit. Nga momenti që filluan të shtënat 10 minuta pasi u plagos Dritan Hasa shpërtheu blinda jonë. Ishim afër një kioske nga ana e perëndimit dhe aty bëra rezistencë për të dalë me forcë bashkë me dy shokët, të cilët nuk donin të largoheshin. Në momentin që u ngritëm për të lëvizur pa dalë ende tek rruga e vogël 50 metër larg kioskës u plagosa edhe unë në këmbë. U plagosa tek shputa e këmbën nga cifla e një granate”, tregoi sot para gjykatës, dëshmitari Nikolli.

Ndërkohë që i njëjti fakt është bërë i ditur edhe nga dëshmitari i dytë Pashk Deda.

r.n/NOA

KOMENTE