Meta Në Dushanbe: Kosova E Pavarur, Klimë Paqeje Dhe Sigurie Për Rajonin
TIRANE, 18 Maj/ ATSH, A.Gegvataj/ - Zv/Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta vlerësoi miratimin e Rezolutës "Mbi situatën në Kosovë", si një dëshmi të qartë të solidaritetit dhe angazhimit të sinqertë të Organizatës së Konferencës Islamike në drejtim të vlerave të lirisë dhe progresit.
Gjatë fjalës në Sesionin e 37-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Konferencës Islamike mbajtur në Dushanbe, (Taxhikistan), ministri Meta i kushtoi vëmendje të veçantë edhe procesit të njohjeve si dhe zhvillimeve të fundit të Kosovës.
Ai bëri të ditur pjesëmarrjen e pakicës serbe në zgjedhjet e suksesshme vendore si dhe rolin funksional të EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës, që tashmë është njohur prej 68 vendeve.
Meta theksoi se "vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe gjithë vendeve të saj fqinjë, me përjashtim të Serbisë, përbën një dëshmi të qartë se ekzistenca e saj, si shtet i pavarur dhe sovran, tashmë është njohur dhe vlerësuar vetëm si një fakt jetësor i realitetit të tanishëm në Ballkan, por edhe si domosdoshmëri për stabilitetin dhe sigurinë e tij".
Duke cilësuar edhe faktin se Kosova është anëtare me të drejta të plota e FMN-së dhe Bankës Botërore, ministri Meta shtoi se "po kështu pritet ta pranojnë në gjirin e tyre edhe institucione të tjera ekonomike dhe financiare me karakter rajonal dhe ndërkombëtar"./n.m/