Dushanbe, 18 maj, NOA – “Kosova e pavarur ka krijuar një klimë të re për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në të gjithë rajonin”.
Një fakt të tillë, ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, e ka bërë me dije gjatë fjalimit që mbajti në sesionin 37 të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Konferencës Islamike mbajtur në Dushanbe të Taxhikistanit.
Duke iu drejtuar homologëve të tij të vendeve anëtare të OKI, Meta e vlerësoi miratimin e rezolutës “Mbi situatën në Kosovë”, si një dëshmi të qartë të solidaritetit e angazhimit të sinqertë të Organizatës së Konferencës Islamike në drejtim të vlerave të lirisë dhe progresit.
Gjithashtu, ai vuri në dukje zhvillimet thelbësore që kanë ndodhur në Kosovë në të gjitha drejtimet, duke veçuar konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Në këtë kuadër, ai theksoi pjesëmarrjen e pakicës serbe në zgjedhjet e suksesshme vendore si dhe rolin funksional të EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës, që tashmë është njohur prej 68 vendeve.
Ndërkaq, Meta vlerësoi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe të gjithë fqinjëve të saj, me përjashtim të Serbisë, si një fakt jetësor të realitetit të tanishëm në Ballkan dhe si një domosdoshmëri për stabilitetin dhe sigurinë rajonale.
“Zgjedhjet e suksesshme vendore të 15 nëntorit 2009, të parat në shtetin e ri e të pavarur të Kosovës, treguan se demokracia dhe shoqëria multi-etnike janë funksionale. Një arritje e madhe e këtyre zgjedhjeve ishte rritja e pjesëmarrjes së serbëve”, vuri në dukje kryediplomati shqiptar.
Duke përfunduar në fjalën e tij se “sot ne jetojmë në një botë që po ndryshon me shpejtësi dhe për realizmin e aspiratave tona të përbashkëta, për të mirën e brezave të tanishëm e të ardhshëm, ne duhet të punojmë së bashku për zgjidhjen e problemeve dhe sfidave tona të përbashkëta, për të patur një botë pa luftëra dhe për të zhvilluar e mbrojtur të drejtat njerëzore bazë”.
n.e/NOA