English

Ministria e Transporteve: Më 21 maj hapet tuneli i Kalimashit

Tiranë, 18 maj, NOA - Ministria e Punëve Publike dhe Transportit bëri të ditur sot se rruga Durrës-Kukës do të jetë funksionale në të gjitha segmentet e saj.

“Njoftohen të gjithë përdoruesit e Autostradës Durrës-Morinë, se më datë 21.05.2010, Galeria Jugore e tunelit të Thirrës, në segmentin Rrëshen –Kalimash, vihet përfundimisht në shfrytëzim të trafikut publik”, thuhet në njoftimin e policisë në lidhje me rihapjen e tunelit.

Sipas ministrisë, të gjitha punimet për strukturën mbështetëse të Galerisë Jugore të tunelit të Thirrës kanë përfunduar.

Po ashtu, punimet elektromekanike dhe të sistemeve të kontrollit të trafikut janë instaluar dhe integruar plotësisht në një sistem të kontrollit qendror që përfshin: 26 ventilator të mëdhenj ajrimi, më shumë se 70 kamera, sinjalistikën e mesazheve variabël elektronik,

një sistem kundër zjarrit në të gjithë tunelin, lokalizimin në mënyrë automatike të tymit dhe gazrave dhe zbulimin e incidentit, sistem telefonik në rast emergjence, komunikimin me radio, si dhe ndriçimin normal dhe atë të sigurisë.

Ministria sqaron dhe mbylljen e tunelit, i cili sipas saj u bë për t’i mundësuar kompanisë ndërtuese të përfundonte instalimin e këtyre pajisjeve elektromekanike “si dhe për të sistemuar presionin e krijuar nga një shtresë gjeologjike jo e qëndrueshme në një segment të vogël të tunelit”.

Tuneli do të jetë i hapur për trafikun duke filluar nga ora 10:00 e ditës së premte, duke bërë të mundur tranzitimin në të gjithë segmentin Rrëshen-Kalimash.

m.xh/NOA

KOMENTE