Portret/ Pamuk- Një Shkrimtar I Lirë
/Portret/
TIRANË , 18 Maj /ATSH-Flora Nikolla/.- Në tetor të vitit 2006, vetëm disa orë më vonë, pasi Akademia Suedeze e Gjuhës konfirmoi nga Stokholmi se shkrimtari turk Orhan Pamuk, ishte fituesi i Nobelit për vitin 2006 , botuesja e "Skanderbek Books", Flutura Açka, njoftoi shtypin se ishte gati të hidhte në treg veprën e tij , "Unë jam e kuqja" .
Romancieri, i cili u proçedua në vendin e tij kur përmendi në një intervistë vrasjen e armenëve dhe kurdëve nga turqit në 1915, në fakt kishte planifikuar të vinte personalisht në Shqipëri për të prezantuar veprën e tij të parë në shqip i ftuar nga botuesja e tij dhe për të marrë pjesë në Panairin e Librit Tirana 2006. Por ja që çmimi i madh duket se nuk e la të kryente këtë udhëtim, për më shumë se të nxitohej botimi publik i veprës së tij.
Pamuk i cilësuar "me një shpirt melankolik për qytetin e tij të lindjes" dhe "që ka zbuluar simbole të reja për lidhjen mes kulturave" pavarësisht anullimit të këtij udhëtimi e kishte pranuar me kënaqësi ftesën për të qenë pranë lexuesit shqiptar.
I lindur në 7 qershor 1952 në Stamboll, në një familje të mesme, -babai dhe gjyshi i tij ishin inxhinierë-, Pamuk eshtë sot një nga shkrimtarët më të njohur të vendit të tij, i përkthyer në 34 gjuhë. Në fëmijëri ëndërronte të bëhej piktor, por studioi arkitekturë. Pas kësaj iu dedikua letërsisë dhe në vitin 1977 u diplomua për gazetari në Universitetin e Stambollit, ndonëse asnjëherë nuk e ushtroi profesionin e tij. Mes viteve 1985 dhe 1988 u vendos në Nju Jork ku punoi si profesor i jashtëm në Universitetin Columbia, deri sa u kthye në qytetin e tij të lindjes.
Romani i tij i parë u botua në 1982, ndonëse iu desh të priste tre vjet që vepra e tij të njihej në nivel ndërkombëtar në sajë të romanit "Astrologu dhe Sulltani". Por, njohja e tij u përcaktua në 1998 me romanin "Më quajnë të kuq" , një libër që i vendos ngjarjet në Stamboll në shekullin XVI, kur në vend sundonte Sulltan Muradi III.
Vepra e tij një libër për Stambollin, është një autobiografi me të cilin ai dëshmoi plotësisht talentin e tij në letërsi: të shkruash mbi qytetin ku ke jetuar që kur ke lindur, vendosur mbi një memorie perfekte, mbi mendime dhe filozofi, ky është libri "Stambolli, Qyteti dhe kujtime".
Pamuk është shprehur për gazetarët se "ajo që më ka përcaktuar si karakter ka qënë lidhja me shtëpinë time, me rrugën time, me peisazhin tim, me qytetin tim". Ai është konsideruar nga kritika i barazvlefshëm me autorë të tillë të njohur si argjentinasi Ernesto Sabato apo italiani Alberto Calvino.
Mes çmimeve që ka marrë përmenden; Libri më i mirë i huaj në Francë (2002), Grinzane Cavour në Itali (2002), Internacional IMPAC në Dublín (2003), Médicis de Francia (2005) dhe Çmimin e Paqes nga Botuesit gjermanë (2005).
Gati dy vite më parë një gjykatë e Stambollit arshivoi një çështje kundër Pamuk mbi komentet që ai kishte deklaruar mbi vdekjen e kurdëve dhe armenëve të botuar në një gazetë zviceriane Tages Anzeiger. Ky rast provokoi një valë protestash ndërkombëtare kur shkrimtarët firmosën një deklaratë në mbështetje të Pamuk, duke akuzuar qeverinë turke për shkelje të të drejtave të njeriut.
Por, ky intelektual rolin e tij politik e shikon si një dënim. Gjithnjë ka thënë se është "një shkrimtar që e konsideron politikën si një kompromis të pashmangshëm, por që nuk i pëlqen", "Dua të jem një shkrimtar i lirë", ka thënë më shumë se në një rast ./f.n/