English

Prishtina Vlereson Prezantimin E Progresit Te Kosoves Ne Keshillin E Sigurimit Te Okb

PRISHTINË, 18 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Prishtina zyrtare vlerësoi prezantimin e progresit të arritur në Republikën e Kosovës në mbledhjen e mbrëmshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku shteti i ri u përfaqësua nga ministri i Jashtëm, Skender Hyseni. "Është një prezantim i arritjeve, i punës së përbashkët, i institucioneve të shtetit të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare", tha kryeministri Hashim Thaçi sot pasdite në mbledhjen e qeverisë. Progresi i vlerësuar i Kosovës, shtoi ai, është i gjithanshëm, i përkushtimit të institucioneve të vendit në nivel qendror dhe lokal. "Është një progres edhe i orientimit tonë euroatlantik, i zbatimit të kritereve demokratike për të përshpejtuar procesin integreus edhe në NATO dhe në Bashkim Evropian, për të përshpejtuar edhe procesin e njohjeve, për të qenë edhe më të përgatitur për momentin e prezantimit të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtrare të Drejtësisë për statusin e Kosovës, që do të jetë në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të vendit, me vendimin e Parlamentit të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran, por edhe për procest e mëtutjeshme të relacioneve tona të reja fqinjësore", theksoi kryeministri Thaçi. Kreu i qeverisë falënderoi "të gjithë mbështetësit e këtij progresi, të gjithë ambasadorët që kanë prezantuar të arriturat e Republikës së Kosovës" mbrëmë në Këshillin e Sigurimit, ku vendet anëtare shqyrtuan raportin e fundit tremujor mbi Kosovën të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Moon. /a.ke/
KOMENTE