English

Rama: Beteja Jonë, Në Interes Të Qytetarëve Shqiptarë

TIRANË, 18 Maj/ ATSH- Suada Daci/- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi sot në protestën e radhës që opozita organizon çdo ditë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" se, "beteja jonë për transparencë bëhet për interes të qytetarëve shqiptarë". Duke folur në protestën e opozitës përballë kryeministrisë, Rama tha se, "kjo nuk është një betejë për interesin e pushtet, por për interesin publikut, nuk është beteja e një partie, por një betejë për qytetarët, të cilëve u kërcënohen liritë dhe të drejta e tyre". Duke u ndalur tek greva e një grupi deputetësh dhe simpatizantësh të PS-së, Rama tha se "këta djem e vajza me një grevë unikale në historinë e vendit, do të mbahen mend sepse po japin një kontribut qytetar për lirinë në këtë vend, në emër të së vërtetës së mbyllur në kutitë e votimit të 28 qershorit". Ai akuzoi se, "Berisha nuk ka kurajo të përballet me të vërtetën dhe për këtë arsye, i mohon popullit të vet të drejtën të shikojë se ç'farë ka në ato kuti, duke e mbajtur Shqipërinë peng në një krizë që thellohet dita ditës". Në protestë folën grevistë dhe drejtues të partive aleate të PS-së, të cilët u shprehën të vendosur të rezistojnë deri sa të garantohet transparenca e proçesit elektoral të 28 qershorit. Që nga mbasditja e 30 prillit kur 21 deputetë dhe 180 simpatizatë të PS-së hynë në një grevë urie të vendosur në çadrat përballë kryeministrisë, sot në ditën e 18-të, ka arritur në 60 numri i gevistëve që e kanë lënë atë, duke j'u drejtuar qendrës spitalore "Nënë Tereza", ku po marrin shërbimin e nevojshëm mjekësor./n.m/
KOMENTE