English

Rriten taksat e makinave të përdorura

Tiranë, 18 maj, NOA - Nëse keni menduar të blini një makinë të përdorur është koha për ta bërë tani këtë veprim, pa hyrë ende në fuqi, ligji i ri i Ministrisë së Financave, që parashikon rritjen e taksave.

Qeveria ka planifikuar të heqë taksën e importit, për automjetet dhe ta zëvendësojë atë me taksë mjedisi, duke e shtrirë pagesën edhe në shitjet brenda vendit.

Kjo do të thotë, që një makinë edhe pse e ka paguar një herë këtë taksë në doganë, sa herë të shitet brenda vendit, do të paguajë sërish. Por në çdo shitje do të paguajë vetëm shtesën që llogaritet pas shtimit të viteve të punës së automjetit.

Taksa e mjedisit do të vijojë të llogaritet në bazë të formulës që zbatohet sot në doganë për zhdoganimin e automjetit, pra vit prodhimi, koefiçentët përkatës si dhe taksa fikse në varësi të llojit të karburantit.

Nëpërmjet këtij drafti financat kërkojnë të dekurajojnë blerjen e makinave të vjetra, pasi sipas të dhënave automjetet që vijnë në vend kanë mesatarisht 17 vite përdorim. Por jo vetëm, kjo është edhe një masë që të mbrojë mjedisin.

Komisioni parlamentar i ekonomisë miratoi ndryshimet e propozuara nga ministria e financave të cilat parashikojnë dhe rritje të tjera të taksave.

Është planifikuar që të rritet edhe taksa e karbonit për naftën, benzinën apo gazoilin. Kjo do të thotë rritje e çmimit të këtij produkti në treg për konsumatorët.

Ky është drafti i radhës së financave për të rritur të ardhurat në buxhet, pasi atij për rritjen e akcizave për një sërë produktesh, nga të cilat qeveria parashikon të mbledhë mbi 4 miliard lekë në vit.

r.l/NOA

KOMENTE