Rusi - Khodorkovski Futet Në Grevë Urie Dhe I Bën Thirrje Presidentit
MOSKË, 18 maj /ATSH-AFP/ - Ish-kreu i kompanisë ruse të naftës Jukos, Mikhail Khodorkovsi, filloi sot një grevë urie për të protestuar kundër mbajtjes në paraburgim dhe i bëri thirrje për këtë presidentit rus, Dmitri Medvedev, iniciator i një ligji që e kufizon këtë formë burgosjeje.
Khodorkovski, i cili është në gjyq që prej vitit 2009 për përvetësim fondesh dhe rishitje të paligjshme të naftës, u ka dërguar organeve të ndryshme të medias ruse një letër të hapur drejtuar kryetarit të Gjykatës së Lartë ku ai njofton vendimin për të mos marrë më ushqim.
"Po filloj një grevë urie deri sa të marr konfirmimin se Dmitri Medvedev ka marrë nga ju ose nga një zyrtar tjetër kompetent të gjithë informacionin lidhur me shkeljen e amendamenteve të fundit legjislative lidhur me paraburgimin", shkruan personi që ka qenë më i pasuri i Rusisë.
"Mendoj se është e rëndësishme që presidenti Medvedev ta dijë se si zbatohet ligji i shpallur nga ai, ose më mirë se si shkelet ai nga disa funksionarë", vazhdon ai.
Amendamentet legjislative, të miratuara në mars dhe të nënshkruara nga kryetari i shtetit në prill, parashikojnë që një person i dyshuar për disa krime ekonomike, sidomos ato për të cilat Khodorkovsi ndiqet penalisht, nuk mund të vendoset në paraburgim.
Presidenti rus ka qenë nismëtar i kësaj reforme për të luftuar kundër burgosjes abuzive të biznesmenëve, pasi forcat e rendit e përdorin këtë masë për të zhvatur rryshfete, njoftojnë disa avokatë dhe organizata antikorrupsion.
Sidoqoftë, Khodorkovski e pranon se do të qëndrojë në burg çfarëdo që të ndodhë, sepse ai mbi të rëndon ende masa e dënimit të dhënë në vitin 2005 me tetë vjet burg për mashtrim dhe evazion fiskal.
"Arsyeja që e çoi Mikhail Khodorkovskin të fillojë një grevë urie është se ligji, i dalë nga vullneti i presidentit dhe që synon t'i jepet fund represionit kundër botës së biznesit, nuk zbatohet", bëri të ditur avokati i tij, Vadim Kliuvgant, në degën lokale të radios Echo të Moskës.
"Nëse ndodh kështu me biznesin më të famshëm, kjo është e frikshme sepse krijon një precedent që do të përgjithësohet", shtoi ai.
Ish-kreu i Jukos ka kërkuar që prej atëherë në letrën e tij nëse presidenti Medvedev është i kënaqur me faktin që funksionarët dhe drejtësia ruse e zbatojnë ligjin "sipas dëshirës".
"Nëse është kështu, do t'i nënshtrohem situatës sime", thekson Khodorkovski, për të cilin, sipas gazetës "Kommersant", kjo është greva e katërt e urisë që prej vitit 2005.
Ish-kreu i Jukos dhe bashkëpunëtori i tij Platon Lebedev rrezikojnë më tepër se 20 vjet burg gjatë procesit në vijim. Përkrahësit e tyre mendojnë se pushteti po përpiqet ta largojë përfundimisht nga arena politike Mikhail Khodorkovskin, 46 vjeç, një kundërshtar i flaktë i kryeministrit Vladimir Putin.
Kryetari i OJQ-së Për të drejtat e njeriut, Lev Ponomarev, u shpreh se kërkesa e Khodorkovskit është e justifikuar, duke u shprehur në të njëjtën kohë i shqetësuar për shëndetin e tij: "Nuk e di se deri ku kërkon të arrijë ai, por një grevë urie në burg nuk është e lehtë", bëri të ditur ai i cituar nga agjencia Interfax.
Agjencia RIA Novosti citoi një zyrtar të shërbimit rus të zbatimit të dënimeve i cili thekson se ish-manjati i naftës do të mbikëqyret nga mjekët.
/I.Pu.