Shengjin: Takim Sensibilizues Per Te Prekurit Nga Hiv/Sida
SHËNGJIN, 18 Maj/ATSH-G. Marku/- Mbi 150 të rinj nga Shkodra, Lezha, Kurbini, Laçi, Miloti, Mahmurrasi, etj, përcollën sot mesazhe për të infektuarit me HIV dhe të vdekurit nga SIDA gjatë një takimi të zhvilluar në Shëngjin, disa km larg qytetit të Lezhës nga organizata "World Vizion".
Bardha Prendi, kordinatore e "World Vision" në Shqipëri tha për ATSH-në se "ky takim është pjesë e një projekti për t'u ardhur në ndihmë të infektuarve me HIV/SIDA, duke përcjellë mesazhe ndaj këtij fenomi të dëmshëm për shoqërinë dhe sidomos të rinjtë."
Në këtë aktivitet u zhvillua Memoriali i Ndezjes së Qirinjve për të prekurit me HIV/SIDA, që organizohet tradicionalisht në çdo Maj në disa vende të botës, një program i Këshillit Global të Shëndetit, është një nga fushatat ndërgjegjësuese më të vjetra dhe më të mëdha për HIV dhe SIDA.
Me 33 milion njerëz që jetojnë me HIV sot, kjo ditë vazhdon të shërbejë si një ndërhyrje për solidaritet global, duke thyer barrierat, dhe duke i dhuruar shpresë gjeneratave të reja.
Nisur në 1983, ky Memorial organizohet çdo Maj dhe udhëhiqet nga një koalicion prej 1.200 organizatash në 115 vende të botës, të cilët kujtojnë ata që kanë vdekur nga SIDA dhe mundohen të rrisin ndërgjegjësimin social rreth sëmundjes.
Deri në fund te tetorit të vitit 2009 në Shqipëri janë të konfirmuar rreth 350 raste të infektuar me HIV&SIDA, nga të cilët 15 janë fëmijë.
"Edhe pse Shqipëria vazhdon të jetë një vend me prevalencë të ulët, shifrat janë domethënëse, krahasuar me numrin e popullsisë. "World Vision" në Shqipëri përmes projektit "Parandalimi i HIV-it dhe Advokimi për personat qe jetojne me HIV", që është në vitin e tretë të zbatimit, synon të mbajë Shqipërinë nje vend me prevalence ulët.", thotë kordinatorja Prendi.
"World Vision" punon për të krijuar ndryshime të qëndrueshme në jetën e fëmijëve, familjeve dhe komuniteteve që jetojnë në varfëri në 100 vende të botës dhe u përgjigjet nevojave në komunitet, pavarësisht nga raca, gjinia, prejardhja etnike, bindja politike dhe besimi fetar i pjesëtarëve të komunitetit.
"World Vision" e filloi punën në Shqipëri në prill të vitit 1999, në përgjigje të krizës kosovare dhe sot vepron me 10 programe zonale zhvillimi, dy programe në rrethin e Elbasanit dhe nga një program në rrethet e Vlorës, Lezhës, Kurbinit, Librazhdit Tiranës dhe Shkodrës./n.m/