Soft News - Australi - Mos Më Besoni Në Ato Që Them: Gafa E Një Lideri Të Opozitës
SIDNEI, 18 maj /ATSH-AFP/ - Lideri i opozitës australiane Tony Abbot shkaktoi zemërim sot në klasën politike pasi ka pranuar se zgjedhësit nuk duhet ta besojnë gjithçka që ai thotë dhe e gjitha kjo pikërisht një muaj përpara zgjedhjeve të pritshme legjislative.
Gjatë një emisioni televiziv, konservatori Tony Abbott u pyet lidhur me premtimin për të mos rritur taksat, që një muaj më vonë ndryshoi plotësisht me propozimin për krijimin e një takse të re.
"Ndonjëherë, rrëmbehemi në diskutime përtej asaj që do të thoshim nëse do të bëhej fjalë për një deklaratë të menduar, të qetë dhe të shkruar", deklaroi ai në televizionin ABC.
"Deklaratat që duhet të konsiderohen si të vërteta të padiskutueshme janë ato që përgatiten me kujdes dhe me shkrim", vazhdoi ai.
Pas këtyre deklartave, qeveria laburiste shfrytëzoi rastin për të theksuar se Tony Abbott, i cili është në ngjitje në sondazhe, nuk është i denjë për t'u besuar.
"Është njëlloj si fjalët që shkruhen në disa pako: 'ju mund ta përdorni këtë produkt, por, kujdes, ai mund të jetë vdekjeprurës'", ironizoi ministrja e Financave Lindsay Tanner.
I njohur nga të gjithë për të folurit e shpenguar dhe gafat e përsëritura, në Australi Tony Abbott njihet edhe me nofkën "murgu i çmendur", sepse ku praktikues i ushtrimeve për zhvillimin e muskulaturës, ka qenë për një farë kohe i vendosur për t'u bërë prift.
Ai ka shkaktuar edhe vitin e kaluar polemikë duke e krahasuar konferencën e Kopenhagës për klimën me marrëveshjet e Mynihut të nënshkruara me Adolf Hitlerin në vitin 1938.
Abbott, i cili zuri vendin e ish-kryeministrit John Howard në krye të konservatorëve australianë, do të përpiqet të fitojë përballë kryeministrit Kevin Rudds gjatë zgjedhjeve legjislative që mund të mbahen në fund të vitit.
/I.Pu.