Tiranë, 18 maj, NOA – “Që kryeministri ka manipuluar kutitë e votimit dhe që është i paligjshëm në krye të qeverisë, këtë e dinë dhe harabelat që janë në këto pemë”.
Me të tilla fjalë, kreu i partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela e ka sulmuar sot nga podiumi poshtë godinës së Kryeministrisë, kreun e qeverisë Sali Berisha.
“Si ka mundësi që një njeri, i cili akuzohet nga mbi një milion shqiptarë përditë, ende nuk reagon?”, ka drejtuar ai më pas pyetjen në publikun opozitar, duke e ftuar madje atë që edhe ta pështyjë dhe flakë tutje kohën që ai përfaqëson.
Ngjela më tej ka pohuar se Berishës i paska mbaruar koha e tij, duke thënë se “ai ka konsumuar kohën e tij dhe prandaj kemi fituar”.
Sipas tij, triumfi i kësaj beteje të opozitës tregon se ajo është dinjitoze dhe se ka heronj të vërtetë.
“Në keni vuajtur në këto dekada, që nga viti 1924 dhe deri më sot, është sepse nuk kemi patur të drejtën për të votuar”, ka thënë më pas Ngjela, siç ka thënë thuajse përnatë para protestuesve të opozitës.
n.e/NOA