English

Sport-Futboll/ Dinamo Përgatit Festën Për Titullin E 18-Të

- Për kurorëzimin e bluve, hyrje falas për tifozët në stadium dhe koncert muzikor - TIRANË, 18 Maj /ATSH - Gjergji Mima/ - Dinamo përgatit festën e titullit numër 18 në histori. Drejtuesit e klubit kryeqytetas kanë menduar që ndeshja e nesërme kundër Besës të mos jetë thjesht një përballje futbolli. Në mënyrë që festimet të marrin përmasa sa më të mëdha, blutë vendosën që tifozët të hyjnë pa biletë në stadiumin "Qemal Stafa". Për mbështetësit, që do të festojnë së bashku me skuadrën e drejtuar nga Shkëlqim Muça, do të shpërndahen bluza, shalle e flamuj, ndërsa përpara, gjatë dhe pas takimit, do të organizohet një koncert muzikor. "Dinamo kurorëzohet kampione e Shqipërisë për sezonin 2009-'10. Ju ftojmë të gjithëve në stadium, për të qenë pjesë e historisë, së titullit të 18-të!", është thirrja e drejtuesve blu për të tërhequr sa më shumë fansa. Megjithatë, ende nuk mund të thuhet me siguri sa interes do të tërheqë kjo ngjarje, edhe për faktin se kampionati i Dinamos ka përfunduar përpara një muaji. Ata e fituan matematikisht titullin që prej 21 prillit, në takimin e javës së 29-të ku humbën në shtëpi me Teutën, me rezultatin 1-2. Për më tepër, ecuria e skuadrës në fazën e tretë të kampionatit ka ndikuar në largimin e tifozëve nga stadiumi. Tetë humbje (7 prej të cilave radhazi) dhe vetëm një fitore e një barazim e kanë shkatërruar sezonin e kryeqytetasve. Blutë kishin realisht shansin që ta shndërronin këtë titull në një ngjarje historike, madje duke regjistruar një ecuri që do të ishte e vështirë për t'u përsëritur në elitën e futbollit shqiptar. Gjithsesi, me "dhuratat" dhe mungesën e impenjimit të shfaqur gjatë këtyre muajve, vlerat e triumfit janë zbehur. Gjithçka ka filluar që prej javës së 25-të, kur duke parë diferencën prej 18 pikësh nga ndjekësja më e afërt (Besa) edhe lëshimet e rivalëve direkte, edhe dinamovitët kanë zbritur në fushë thjesht për formalitet. Takimi i nesërm, edhe pse nuk do të ketë grintë, pritet të jetë më spektakolar se ndeshjet e deritanishme. Dinamo dhe Besa i kanë mbyllur të gjitha llogaritë në këtë sezon, duke fituar respektivisht titullin dhe Kupën, e me lojën në fushë ndoshta do të zgjedhin të bëhen pjesë e festës./s.s./
KOMENTE