Sport-Futboll/ Duro-Nica, Trajnerët Më Të Suksesshëm Të Superligës 2009-2010
TIRANË, 18 Maj /ATSH -Gjergji Mima/ - Trajneri i Besës, Shpëtim Duro, dhe trajneri i skuadrës së Laçit, Stavri Nica, janë dy teknikët që mund të cilësohen si më të sukseSshmit për këtë sezon në Superligë.
Shpëtim Duro u vu në krye të pankinës kavajase në korrik të vitit te kaluar, ndërsa bashkë me presidentin Bizhdili bënë një merkato të mirë, duke afruar lojtarë cilësorë si portieri Orges Shehi, mbrojtësit Endri Vrapi, Renato Arapi, Alban Dragusha, mesfushorët Paulin Dhëmbi dhe Dritan Babamusta, si dhe sulmuesin Daniel Xhafaj, por duke shtuar në merkaton e dimrit edhe Vioresin Sinanin dhe Blendi Shkëmbin.
Trajneri Duro ka hyrë në historinë e ekipit kavajas, duke sjellë Kupën e dytë të Shqipërisë në këtë qytet dhe është fare pranë shpalljes së Besës, pas shumë vitesh, si nënkampione të Shqipërisë. Duro është vleresuar nga tifozeria e Besës si dhe nga lojtarët dhe nga presidenca e ekipit, e cila është shprehur se do i realizojë një kontratë 3-vjeçare.
Në anën tjetër, është tekniku i Laçit, Stavri Nica. Durrsaku mori drejtimin e pankinës laçjane vetëm një javë para startit të kampionatit, dhe tani është kthyer në heroin e tyre, duke e kurorëzuar sezonin me pjesëmarrjen historike në Ligën Evropiane.
Edhe Nica ka hyrë në historinë e klubit të tij për këtë pjesëmarrje të parë të Laçit në kupat e Europës. Ai ka punuar gjatë gjithë vitit me përkushtim dhe "pa rënë në sy", duke bërë që Laçi i tij të luajë një futboll të thjeshtë dhe të pëlqyeshëm.
Përvoja në ndeshjet europiane nuk i mungon Nicës, pasi ka drejtuar Teutën pesë vite më parë në dy ndeshje të saj në kupën Uefa. Të gjithë shpresojnë në Laç që Nica të vazhdojë të jetë përsëri vitin tjetër kreu i pankinës laçjane.
Duhet theksuar që Nica, ashtu si Duro, nuk ka ndryshuar skuadër që nga fillimi i sezonit, duke treguar një fakt interesant, që sa më shumë mbështetje të kenë trajnerët, edhe sukseset e klubit do të jenë më të mëdha. Për këtë shembulli më i mirë janë Besa dhe Laçi./s.s./