English

Topi Apelon Për Më Shumë Mundësi Integruese Në Shoqëri Të Jetimëve

- Në Ditën Kombëtare të Jetimëve Shqiptarë - TIRANË, 18 Maj/ATSH/.- Presidenti i Republikës, Bamir Topi apeloi sot për më tepër mundësi integruese në shoqërinë shqiptare të jetimëve. Nën kujdesin e posaçëm të Presidentit Topi, Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë organizoi në mjediset e Teatrit të Operas dhe Baletit një veprimtari kulturore e humanitare në përkujtim të 20 Majit, Ditës Kombëtare të Jetimëve Shqiptarë. Në prani të tyre, Presidenti i Republikës u shprehu fëmijëve urimet më të mira në këtë ditë, ndërsa falenderoi të gjithë ata që jetën dhe punën e tyre ia kanë përkushtuar edukimit dhe arsimimit të jetimëve. Me këtë rast ai iu referua figurës së Nënë Terezës, këtij monumenti njerëzor, diviza e së cilës ishte 'Të mbrojmë dashurinë'. "Ta mbrojmë këtë dashuri, t'i japim jetë kësaj dashurie, sepse kemi nevojë të gjithë për të shkëmbyer mesazhe dashurie, nga prindërit tek fëmijët, nga fëmijët tek fëmijët, nga politika tek fëmijët dhe anasjelltas", u shpreh Presidenti i Republikës. "Nganjëherë mesazhet për fëmijët jetimë i lëmë në planin sekondar dhe kjo është një autokritikë që vjen nga unë së pari, pastaj duhet të vijë dhe nga të tjerët, sepse kjo është kategoria, e cila ka nevojë për më shumë mbështetje. Shteti, shoqëria, në këto 20 vite ka bërë shumë, por duhet të bëjë akoma më shumë, që këta fëmijë të ndjehen më të integruar dhe më të suportuar, pjesë e rëndësishme e një shoqërie e cila nesër patjetër do të jetë shoqëri e vërtetë evropiane", nënvizoi Kreu i shtetit. Gjatë këtij aktiviteti Presidenti i Republikës dekoroi Evanthi Ciko me "Medaljen e Mirënjohjes" me motivacionin "Për punë plot përkushtim me fëmijët jetimë, duke u bërë model i shkëlqyer dhe shembull i madh frymëzimi për të gjithë gjeneratat e edukatorëve dhe drejtuesve të këtyre institucioneve në edukimin dhe mirërritjen e fëmijëve pa kujdes prindëror". Gjithashtu, Kreu i shtetit i akordoi këngëtares Ema Qazimi titullin "Mjeshtre e Madhe" me motivacionin: "Për kontribut të shquar, si interpretuese me mjeshtëri të lartë artistike, e këngës dhe muzikës së lehtë shqiptare." Të pranishëm në aktivitetin e organizuar sot në Ditën Kombëtare të Jetimëve Shqiptarë ishin drejtues të lartë të institucioneve në vend, personalitete të shquara të artit, kulturës, sportit, përfaqësues të shoqatave dhe organizmave të shoqërisë civile në vendin tonë, si dhe përfaqësues diplomatikë të akredituar në Tiranë. /a.s//n.m/
KOMENTE