English

Tropojë: Dyfishohet Numri Nxënësve Në Arsimin E Mesëm Me Korrespondencë

TROPOJË, 18 maj/ATSH-R.Hoxha/ - Gjatë këtij viti shkollor numri i nxënësve që vazhdojnë arsimin e mesëm me korrespondencë në rrethin e Tropojës është dyfishuar në krahasim me një vit më parë, bëjnë të ditur burime nga zyra arsimore e rrethit të Tropojës. "Mungesa e shkollave të mesme në zonat rurale ka rritur interesin për vazhdimin e arsimit të mesëm me korrespondencë nga të rinjtë e tyre, ç'ka vërehet dhe këtë vit shkolloor, kur ka nisur sezoni i provimeve", thotë për ATSH-në drejtore e zyrës arsimore, Sabahet Neza. Janë 228 nxënës që vijojnë klasën e 10-të, në klasën e 11-të janë 211 nxënës, në klasën e 12-të edhe 179 nxënës ndërsa 184 nxënës janë në klasën e 13-të. "Provimet e këtij sezoni sapo kanë filluar, por pozitive është se të gjithë nxënësit e regjistruar në fillim të vitit shkollor janë paraqitur për shlyerjen e tyre", thotë Neza. Në sezonin e parë të provimeve në muajin janar mbi 64 për qind e nxënësve arritën të marrin nota kaluese, ndërsa gjatë këtij sezoni parashikohet që ky tregues të arrijë në mbi 80 për qind. Rihapja e arsimit të mesëm me korrespondencë në këtë rreth u bë e domosdoshme pas mbylljes së disa shkollave të mesme në zonat rurale si pasojë e uljes së numrit të nxënësve. Edhe pse arsimi i mesëm me korrespondencë është përqëndruar në shkollën e mesme "Asim Vokshi" të qytetit të Bajram Currit, janë kryesisht nxënës nga zonat rurale. Aktualisht në këtë rreth funksionojnë 7 shkolla të mesme, prej të cilave 6 në zonat rurale dhe një në qytetin e Bajram Currit./ch/
KOMENTE