English

Turqi - Rreth 30 Minatorë Ende Të Bllokuar Në Minierë

ANKARA, 18 maj /ATSH-ANSA/ - Ende 30 minatorë turq kanë mbetur të bllokuar në 540 metra thellësi në një minierë karboni pranë qytetit Zonguldak, në brigjet e Detit të Zi, të cilët presin të shpëtohen, njoftoi sot agjencia turke e lajmeve Anadolli, duke përgënjeshtruar kështu lajmet e djeshme nga disa media të tjera se të gjithë minatorët ishin gjallë dhe ishin nxjerrë në sipërfaqe. Minatorët mbetën të bllokuar në galeri për shkak të një shpërthimi që ndodhi gjatë punimeve. "Jam informuar se punëtorët kishin përdorur një sasi dinamiti për të hapur një galeri dhe se sistemet automatike për sinjalizimin e gazit dhanë alarmin për sasi të mëdha metani. Menjëherë minatorët i ndërprenë punimet, shkëputën elektricitetin dhe nisën të presin. Rreth 20 minuta më vonë, niveli i metanit u mat sërish dhe gjithçka dukej normale. Megjithatë shpërthimi ndodhi katër minuta më vonë", deklaroi për agjencinë Anadolli ministri i Punës, Omer Dincer. "Nuk e dimë me saktësi atë çfarë ka ndodhur. Gjithçka që mund të bëjmë është të shpresojmë dhe të lutemi për ta deri sa t'i nxjerrim në sipërfaqe", shtoi ministri. /e.v/
KOMENTE