Tiranë, 18 maj, NOA – “Sot vendi ynë mori një faturë tjetër të trishtuar, siç ishte ajo e dërgimit të 170 pyetjeve të tjera nga Komisioni Evropian për të kompletuar Pyetësorin që qeveria dorëzoi në Bruksel”.
Kështu preferoi ta niste fjalimin e tij të sotëm në protestën e opozitës, lideri i partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule.
Duke marrë në diskutim analizimin e dokumentit të Pyetësorit nga autoritetet e Brukselit, ai e ka renditur kështu ndër çështjet me të cilat opozita do të ketë një argument më shumë kundër mazhorancës.
“Fajin për këtë nuk e ka opozita dhe as populli, por vetëm kryeministri dhe qeveria e tij”, tha Dule lidhur me një fakt të tillë.
E duke kaluar në çështjen kryesore të opozitës, e cila është ajo e hapjes së kutive të 28 qershorit, Dule tha se “kutitë do të hapen, transparenca do të bëhet dhe fajtorët do të ndëshkohen”.
“Në këtë mënyrë, në Evropë do të shkojmë si evropianë me vlera dhe parime”, përfundoi ai fjalën e tij para protestuesve të opozitës.
n.e/NOA