English

Vëzhgim/Gjirokastër: Kaminat E Qymyrdrurit Kthejnë Jugun Në Territor Të Zhveshur

GJIROKASTËR, 17 Maj/ATSH-Telnis Skuqi/ - Rreth 25 mijë ton qymyrdruri prodhuar nga pyjet e në jug të vendit kalon çdo vit për në Greqi. Sikur të mos mjaftonte dëmi i pallogaritshëm nga zjarret e verës dhe shkrumbojnë hektarë të tëra me pyje dhe kullota, konsumi i druve të zjarrit për ngrohje rrezikojnë të zhduken. Stefan Rrapi, specialist i mjedisit, thotë se sopatat, sharra dhe motosharat e kanë shëndërruarn jugun e vendit në një territor të zhveshur nga bimësia dhe gjelbërimi. "Drejtoria e pyjeve dhe kullotave duhet të luaj një rol të rëndësishëm për parandalimin e shfarrojes së pyjeve", thotë Rrapi. Rrapi tregon se shumë subjekte private, prodhimin e qymyrdrurit e bëjnë në zonat të thella, larg syve të publikut, në disa vende që quhen kamina. "Kontrollet ndaj shkatërrimit të mushkrisë së gjelbërt janë formale, por edhe raportet e zyrtare për shfarrosjen e sipërfaqeve pyjore nuk janë të sakta", shprehet Rrapi. Sipas tij, nëse kaminat e qymyrdrurit do të vazhdojnë të digjen dhe eksportojnë me rritmin aktual, atëherë brenda pesë vjetësh gjeblërimi do të zhduket. "Në Karroq të Sarandës, ekzistonte imazhi i pyllit të dikurshëm, në afërsi të kufirit shqiptaro-grek, por sot ai është zhdukur në mënyrën më të pamëshirshme dhe e gjithë lënda është transformuar në qymyrdruri në Greqi", pohon Rrapi. Sipas specialistit Rrapi gjatë verës së vitit të kaluar në rrethet e Gjirokastrës, Përmetit, Sarandës, Delvinës dhe Tepelenës u përshkuan nga zjarret rreth 12 mijë ha pyje dhe kullota, ndërkohë që raportohen si të djegura plotësisht rreth 170 hektarë pyje. "Dëmi është i pallogaritshëm edhe në drejtim të faunës", shton Rrapi. Të dhënat nga Drejtoria Rajonale e Tatim-Taksave, bëjnë të ditur se në qarkun e Gjirokastrës 10 firma ushtrojnë aktivitetin e tyre të eksportit të qymyrdrurit. Ndërsa, dega e doganës së Kakavijes, bënë të ditur, se vitit 2009 volumi i mallrave të eksportit, nga kjo doganë është rritur me rreth 10 % në krahasim me vitin 2007. "Nëse kemi parasysh që në strukturën e këtij eksporti përfshihen vetëm 3 artikuj, gurë dekorativë, peshk i freskët dhe qymyrdruri, kjo e fundit zë më shumë se 60 % të eksportit të këtyre produkteve", shprehen burimet e lartpërmendura. "Në mënyrë të drejtpërdrejtë, mund të themi se firmat private po shkrumbëzojmë dhe shesim mushkëritë tona, mandej edhe duke thithur tymin e djegjes së tij", thekson Rrapi. Rrapi siguron se kjo katastrofë mjedisore po zhvillohet më të njëjtën hap dhe në rajonin Sarandë-Delvinë. "Gjatë 4-5 vjetëve të fundit janë shfarrosur për prodhim qymyrdruri rreth 500 ha me pyje me një vëllim mbi 30 mijë metra kub dru, me të cilat janë prodhuar 2 mijë ton qymyrdruri", përfundon Rrapi./ch/
KOMENTE