Afganistan - Talebanët Sulmojnë Bazën Më Të Madhe Të Nato-S Në Bagra,
KABUL, 19 maj /ATSH-AFP/ - Talebanët, ndër të cilët disa kamikazë, sulmuan sot në agim në Bagram, në veri të Kabulit, bazën më të madhe ushtarake të NATO-s në Afganistan, që mbahej nga ushtarët amerikanë dhe të paktën shtatë rebelë u vranë, njoftuan forcat ndërkombëtare.
Ky sulm i guximshëm bëhet disa ditë pas njoftimt të komandantit të talebanëve për fillimin e një sërë operaionesh "xhihad", që përfshijnë sulme, atentate dhe vrasje dhe që synojnë forcat e NATO-s dhe më në përgjithësi të huajtë. Ai ndërmerret gjithashtu një ditë pas një sulmi kamikaz kundër një autokolone ushtarake të NATO-s që solli vdekjen e pesë ushtarëve amerikanë dhe të një kanadezi në Kabul.
"Shtatë ushtarë të NATO-s u plagosën gjatë sulmit në Bagram. Luftimet vazhdojnë, por tashmë ato janë sporadike", i deklaroi AFP-së majorja Virginia McCabe, zëdhënëse në bazën ushtarake.
Rebelët sulmuan në disa vende, "të gjitha fare afër", por nuk mundën të hyjnë në pjesën e rrethuar të bazës, vazhdoi zëdhënësja.
"Kundërpërgjigjja e ushtarëve tanë ishte shumë e shpejtë", theksoi ajo, pa konfirmuar nëse kishte kamikaze mes sulmuesve.
"Rebelët sulmuan bazën e madhe me raketa, granada dhe armë automatike, por nuk arritën të hyjnë në pjesën e rrethuar të bazës", bëri të ditur majorja McCabe.
"Sot, rreth orës 05:00 (03:00 GMT), 20 kamikazë talebanë sulmuan bazën e Bagramit nga pjesët lindore dhe perëndimore", deklaroi Zabihullah Muxhahidi, një zëdhënës i rebelëve në një bisedë telefonike me AFP-në.
"Katër kamikazë aktivizuan brezat e tyre të eksplozivit dhe luftimet vazhduan në bazë", u shpreh Mujahid në mëngjes.
Në Bagram, rreth 60 kilometra në veri të Kabulit, ndodhet baza më e madhe ushtarake e NATO-s në Afganistan, e komanduar dhe e kontrolluar nga ushtria amerikane, që përbën më tepër se dy të tretat e forcave ndërkombëtare.
Atje ndodhet një aeroport ushtarak, por forcat amerikane kanë në Bagram edhe një burg të madh, i hapur gjatë periudhës së rrëzimit të talebanëve nga pushteti në fund të vitit 2001.
Në mars 2009, një atentat i dyfishtë goditi hyrjen e bazës, duke plagosur tre civilë.
Sulmi i Bagramit u zhvillua pas një dite të zezë për forcat ndërkombëtare të cilat humbën tetë ushtarakë, gjashtë prej të cilëve në një atentat kamikaz me autobombë, sulmi më i përgjakshëm në Kabul që prej rreth një viti e gjysmë, kundër një autokolone të NATO-s.
Forcat ndërkombëtare po përgatiten për kundërpërgjigje ndërkohë që strategjia e re e kundërveprimit e miratuar në fund të vitit 2009 nga presidenti Barack Obama synon pengimin e avancimit të rebelëve.
Pas një ofensive ushtarake të shkallës së gjerë në Marjah, në provincën Helmand, në jug, e cilësuar si "dështim" nga një pjesë e shtypit amerikan, perëndimorët e kanë drejtuar vëmendjen nga Kandahari, baza e talebanëve, që pritet të jetë arenë e një ofensive të gjerë gjatë verës.
/I.Pu.