Art/ Dy Premiera Nesër Në Teatrin E Metropolit
-Veprat teatrore "Jashtë bie borë" dhe "Varësja e rrobave" nga 20-30 maj në sallat Çehov dhe Bodrum-
TIRANË, 19 Maj/ ATSH- Suada Daci/- Dy pjesët "Jashtë bie borë" dhe "Varësja e rrobave" janë dy premierat e reja që do të vihen në skenë nesër nga Teatri i Metropolit, ku sallat Bodrum dhe Çehov do të presin artdashësit nga 20-30 maj.
"Jashtë bie dëborë" e shkruar nga Vincenzo Salemme është një komedi- tragjedi, realizuar nga regjisorja Najada Elmazi, skenografi të Beqo Nanaj dhe kostumografi të Realda Malo, ku interpretojnë aktorët, Gentian Zenelaj, Ervin Bejleri, Alban Musa dhe Ledion Zoi.
"Kjo komedi-tragjedi flet për bashkëjetesën e detyruar të tre vëllezërve, Enzo, Cico, Stefano, ku protagonisti Cico, është një i sëmurë mendor", thotë regjisorja Najada Elmazi.
Sipas saj, "një vëzhgues sipërfaqësor mund të mendojë se Cico është një budalla i shkretë, i paaftë për veten e tij, plotësisht i ndarë nga realiteti, por përkundrazi, është një vëzhgues i mprehtë i realitetit që e rrethon, zgjidhës gjenial i situatave të vështira, një person tallës i retorikës dhe i hipokrizisë njerëzore, pra një hero i ndryshëm."
Ndërsa premiera tjetër "Varësja e rrobave" e shkruar nga Mario Alessando Paolelli, vjen në skenë me regji të Guri Kocos. Vepra është përfaqësuese e një lloj zhanri që quhet 'komedi e zezë' dhe interpretohet nga aktorët Genci Guga, Florian Agalliu, Aldion Matarangasi.
Një shtëpi e thjeshtë, e mobiluar thjeshtë, bëhet vendi i veprimit të katër vëllezërve, David, Xhulio, Mimo dhe Anko. Njëri prej tyre, David, vuan nga sindroma e të qenit varëse rrobash dhe është trashëgimtar i një ati që besonte se ishte nderësja e rrobave të lara. Njëlloj, si të atin dhe të birin, jeta i ka dënuar duke i sëmurur psiqikisht, i ka trembur me ashpërsinë dhe egërsinë e saj, u ka hequr mundësinë dhe dëshirën për të luftuar e fituar.
Gjithë historia që vërtitet mes 4 vëllezërve me manira të veçanta, zhvillohet përmes situatave komike, por dhe një drame që qëndron tek lufta për ta përballur jetën e egër dhe pamundësia për ta bërë atë.
Kjo komedi do të shfaqet nesër në sallën Bodrum të Teatrit të Metropolit./n.m/