Ashan: Rritja E Bashkëpunimit Ekonomik Me Shqipërinë, Prioriteti Im
-Deklaron Ambasadori turk në Tiranë Hasan Ashan gjatë ceremonisë së hapjes së butik "Kape"-
TIRANE 19 Maj/ATSH-A.Gjonaj/- Kur prej më shumë se dy vitesh në botë vijon të artikulohet fjala krizë, në Shqipëri biznesi i huaj gjen treg dhe jo vetëm, ndaj dhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hasan Ashan në ceremoninë e hapjes së njësisë së madhe tregtare turke "Kape" në Tiranë nga kompania "Mode West", tha se në "axhendën time intensifikimi i marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve është prioritet".
Ne ceremoninë e hapjes se "Kape" ishin të panishëm përfaqësues të ambasades turke dhe biznesmene turq që zhvillojnë aktivitetin e tyre në vendin tonë.
"Tashmë të gjithë shqiptarët, që udhëtojnë drejt Turqisë, nuk paguajnë më 10 euro për taksën e vizës siç bënin më parë, pasi kjo nuk u konsiderua vetëm kosto financiare, por edhe një barrierë psikologjike, hap ky që rezultoi pozitiv, pasi është vërejtur rritje e fluksit të shqiptarëve që udhëtojnë drejt Turqisë, jo vetëm për vizita mjekësore, por edhe për biznes", tha ambasadori turk, Ashan.
Duke i konsideruar marrëdhëniet politike mes dy vendeve në një nivel mjaft të kënaqshëm, ai vuri në dukje se, "edhe marrëdhëniet ekonomike po ecin në këtë linjë".
Sipas tij, investimet turke në Shqipëri kanë ardhur duke u rritur nga 45 milionë dollarë që ishin 5 vjet më parë, tani kanë kapur shifrën 1.2 miliardë dollarë.
"Marrëdhëniet ekonomike po ecin mjaft mirë. Sot ato janë në nivelin e rreth 1.2 miliard dollarë ndërsa vëllimi i shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve tona, është rreth 350 milionë dollarë", deklaroi Ashan.
Ai tha se duhet të ketë një hop akoma më të madh këto marrëdhënie me fillimin e funksionimit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, pasi investime të tilla i japin frymë këtij zhvillimi.
Ashan tha se "investimet turke në Shqipëri duhet të shtohen dhe çdo investim i ri është i vonuar", por shprehu bindjen se këtu gjejnë kushtet e duhuara për t'u zhvilluar.
Shqipëria sipas tij, ofron kushtet e duhura për të bërë biznes. Gjatë viteve të fundit kuadri ligjor është i përshtatshëm për thithjen e investimeve të huaja dhe këtë e tregon edhe fakti që kur e gjithë bota njohu rënie, Shqipëria ishte ndër vendet e pakta që kishte rritje pozitive.
"E kanë dhënë provën shumë kompani turke", tha Ashan. Duke ju referuar "Kape", ai tha se "do të dijë të gjejë vendin në tregun shqiptar, duke sjellë një ajër të ri".
Administratori i kompanisë "Mode West", Yasar Cankya tha se "vendosëm të sjellim në Tiranë markën "Kape", pasi bëmë një studim të tregut dhe pamë se mund të gjejmë treg. Ideja për hapjen e këtij butiku në Tiranë erdhi pas 9 vitesh eksperiencë në tregun europian, amerikan, Azi dhe Moldavi".
Sipas tij, kompania po operon me dyqane të po të njëjtit sistem.
"Eksperienca jonë na bën optimist për suksesin në tregun shqiptar. Vërejtëm mangësi në tregun shqiptar dhe mendojmë se më këtë butik u japim njerëzve mundësi dhe zgjedhje për të gjitha kategoritë", deklaroi Cankya.
Ai vlerësoi se pavarësisht krizës ekonomike ndërkombëtare, Shqipëria është një shtet që po rritet dita ditës dhe artikujt që sjellin këtu ofrojnë cilësi dhe konkurencë në çmim.
"Këto artikuj janë edhe në butiqet tona në Evropë dhe Amerikë", deklaroi Cankya.
Në butikun "Kape" që gjendet në bulevardin "At Gjergj Fishta" tashmë gjithkush mund të gjejë artikuj veshjeje për të gjitha moshat, si dhe materiale shtepiake. Krahas larmise se produkteve, ekspozuar në një ambjent të bollshëm prej 2017 m2, "Kape" ofron cmime mjaft konkurruese dhe të favorshme për "xhepin" e secilit.
Sipas statistikave zyrtare, disa nga sektorët e ekonomisë të përfaqësuar nga biznesi turk në Shqipëri janë infrastruktura, ndërtimi, turizmi, lëndët djegëse, bankat dhe sigurimet, konfeksione dhe veshje, ushqimet, produktet plastike, etj.
Nga tre vende kryesore partnere të Shqipërisë, që janë Italia, Greqia e Turqia, kjo e fundit zë vendin e parë për përqindjen e rritjes në treg, me 21.86 %.
Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi midis dy vendeve, përbëjnë një nga modelet më të mira të kooperimit në rajon. Por në situatën e sotme, kur edhe sipërmarrja shqiptare është rritur, bashkëpunimi merr dimensione të reja. Sot po vihet re një ridimensionim të raporteve ekonomike midis dy vendeve, ndërsa performanca ndryshe e bashkëpunimit Shqipëri-Turqi është e dukshme sidomos në sektorë si si infrastruktura, telekomunikacioni, minierat, prodhimi i metaleve, ndërtimi, turizmi, arsimi, etj./n.m/